Nis rigjykimi i tretë për rastin e Lavdim dhe Ardian Krasniqit

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor në kuadër të rigjykimit të tretë për rastin e profilit të lartë të korrupsionit, ku të akuzuar janë Lavdim Krasniqi, ish-drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), dhe shoferi i tij personal, Ardian Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Rasti është kthyer sërish në pikën zero pasi Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e shkallës së parë për pikat I dhe II të dispozitivit, duke gjetur shkelje esenciale procedurale. Ky vendim i Apelit nënkupton kthimin në rigjykim vetëm për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ndërsa për pikat e tjera (III, IV, VI dhe VI.1), aktgjykimi i mëparshëm është vërtetuar.

Seanca e paraparë që të mbahej me datë 02 shtator ishte anuluar pasi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi gjindej në pushim mjekësor.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, dy të akuzuarit Krasniqi ngarkohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kërkuar dhe pranuar të holla e dhurata nga Bashkim Mulolli. Përmes shoferit Ardian Krasniqi, dyshohet se janë pranuar para në vlerë deri në 40 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, aktakuza specifikon se ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke penguar arrestimin e Albi Mulollit (i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë), duke i mundësuar atij arratisjen për në Shqipëri me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial, e cila shfrytëzohej nga Lavdim Krasniqi.

Në shkallën e parë, Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të vitit 2023 kishte shpallur një aktgjykim dënues, i cili më pas u atakuar në Apel. Lavdim Krasniqi ishte dënuar fillimisht me 6 muaj burgim (i cili mund t’i zëvendësohej me gjobë) dhe 8 mijë euro gjobë për pikën që lidhej me mosraportim të pasurisë, ndërsa ishte liruar nga disa pika të korrupsionit.

Ardian Krasniqi (shoferi) ishte dënuar me një dënim unik prej 4 vite e 8 muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë për pranim ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Të ngjashme