Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se organizata që ai drejton do të mbështesë çdo iniciativë për protesta popullore, duke theksuar se ato duhet të jenë paqësore, raporton Ekonomia Online.
Gucati tha se OVL-UÇK do të përkrahë edhe protestën e studentëve, ndërsa bëri të ditur se organizata pritet të diskutojë për protestat e saj në mbledhjen e kryesisë.
“Kam thënë me kohë, po them edhe sot para juve, gjithë mediave, më së pari ju falënderoj që jeni gjithë kohën edhe po na përcjellni hap pas hapi, por edhe duke përcjellë gjendjen dhe situatën aktuale që po kalojmë sot. Organizatat e dalura nga lufta, organizata e veteranëve gjithmonë do të jetë në mbështetje të çdo iniciative të protestës popullore, gjithmonë protestën sepse ne dëshirojmë jo dhunshëm e jo të kallet vendi ynë, se kjo Kosovë është e jona, Serbia ka qenë këtu, ne e kemi shlyer. Më se s’kemi me kallë vendin tonë, po jemi mbrojtës të këtij vendi se e kemi ndërtuar me gjak dhe me mund si njerëz, ne veteranët, shoqëria e familjeve të dëshmorëve, të tjerët kanë lënë gjymtyrët e trupit. Protestën e studentëve sot do ta mbështesim, do ta përkrahim edhe çdo protestë sot ne do ta përkrahim. Shpresojmë një ditë të vijmë edhe ne do ta bëjmë një, nesër e kemi kryesinë që do të takohemi dhe nuk do të ndalemi me protesta derisa të arrijmë sukses”, ka deklaruar Gucati.
Gucati është shprehur edhe për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me plotësim-ndryshimin e ligjin për Dhomat e Specializuara të Hagës, mirëpo kërkon shpërbërjen e krejt Gjykatës.
“Partia Demokratike ka bërë mirë, së pari po, më së pari duhet me thënë se po. Tash po ndëgjoj për herë të parë, mirë kanë bërë që kanë dorëzuar, më mirë vonë se kurrë, me vonesë pak, mirë kanë bërë që kanë dorëzuar. S’është marre edhe me kërku falje edhe me thënë kemi gabuar që në fillim këtu, më herët, po kjo është iniciativë e mirë. Ne veçse kemi dorëzuar, ju e dini ne atë ditë, pesë pikat tona që kemi marrë publike ne i kemi dorëzuar. Do të thotë ne jemi një hap përpara tyre. Para çdo partie politike jemi një hap përpara tyre gjithmonë. E edhe mirë që ka dorëzu Partia Demokratike, është mirë të gjitha partitë të jenë në unifikim tash, bashkarisht ta shfuqizojnë Gjykatën Speciale. Mos të kenë frikë deputetët, nëse kanë frikë burrat, ne jemi qytetarë këtu që jemi, i mbrojmë. Natë e ditë me ta do të jemi, veç ta shfuqizojnë këtë vendim të kësaj gjykate. Ne me ta do të jemi natë e ditë. Më besoni, çdo qytetar shqiptar do të jetë afër deputetëve, atyre që i mbrojnë për me e shfuqizuar këtë gjykatë. Kështu që mendoj që është mirë”, tha Gucati.
