AKB në ILO në Gjenevë: Kosova ende pa zë në Organizatën Botërore të Punës

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, është pritur në selinë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) në Gjenevë, ku ka zhvilluar takim me Mito Tsukamoto, drejtues i Employment in Investment (EMPINVEST) në Departamentin e Politikave të Punësimit në ILO.

Në takim është diskutuar për pozitën dhe rolin e punëdhënësve dhe punëmarrësve në nivel global, me theks të veçantë në zhvillimet në Kosovë, forcimin e dialogut social, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të sektorit privat në politikat e punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte perspektiva e Kosovës dhe mundësitë për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet dhe mekanizmat ndërkombëtarë të ILO-së në të ardhmen.

Shahini ka prezantuar zhvillimet në Kosovë në fushën e dialogut social dhe Këshillit Ekonomik-Social, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të denjë të punëdhënësve në proceset vendimmarrëse që lidhen me tregun e punës, ekonominë dhe politikat sociale.

Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për angazhimin ndërkombëtar të AKB-së dhe përfaqësimin e sektorit privat të Kosovës në Evropë, përfshirë angazhimin e kësaj aleance në mekanizma dhe struktura relevante të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) në Bruksel.

Sipas AKB-së, Kosova ka nevojë që zëri i punëdhënësve dhe sektorit privat të dëgjohet më fuqishëm në nivel evropian dhe ndërkombëtar.

“Dialogu social nuk është vetëm çështje e institucioneve vendore, por një standard evropian dhe ndërkombëtar që ndikon drejtpërdrejt në punësim, investime dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftimin e AKB-së.

AKB-ja ka vlerësuar se bashkëpunimi me ILO-n dhe institucionet ndërkombëtare të punës është i rëndësishëm për forcimin e pozitës së punëdhënësve të Kosovës, avancimin e dialogut social, krijimin e vendeve të reja të punës dhe integrimin e sektorit privat të Kosovës në rrjetet evropiane dhe globale.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit të Kosovës dhe ngritjen e zërit të punëdhënësve në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.

Të ngjashme