Venecia po shqyrton të rrisë tarifën e hyrjes për turistët ditorë, si në kohëzgjatje ashtu edhe në vlerë, me pagesa që në të ardhmen mund të arrijnë deri në 30 euro.
Lajmi është bërë i ditur nga Michele Zuin, këshilltar i administratës së qytetit për buxhetin dhe taksat, i cili tha se tarifa aktuale prej 5 deri në 10 euro mund të mos ketë më efektin frenues të synuar ndaj fluksit të turistëve.
Sipas Zuin, shuma aktuale është ekonomikisht e përballueshme për pjesën më të madhe të vizitorëve dhe për këtë arsye, nuk funksionon gjithmonë si një masë për të dekurajuar vizitat gjatë periudhave më të ngarkuara.
Ai tha se për vitin 2027 po diskutohet një rritje e tarifës, por çdo ndryshim duhet të dakordësohet me qeverinë italiane. Në diskutime është përmendur edhe një tarifë prej 50 eurosh, ndërsa një nga skenarët e mundshëm është vendosja e një tavani prej 30 eurosh në ditë.
Tarifa e hyrjes për turistët ditorë u aplikua për herë të parë në Venecia në vitin 2024. Vizitorët që rezervojnë më herët paguajnë një tarifë më të ulët, ndërsa sistemi parashikon edhe disa përjashtime, përfshirë fëmijët nën 14 vjeç.
Gjatë vitit 2026, masa u aplikua në ditë të caktuara nga 3 prilli deri më 26 korrik. Sipas të dhënave të administratës lokale, nga shitja e rreth 680 mijë biletave u arkëtuan më shumë se 5.2 milionë euro. /Panorama