Prosper: Tre gjykatësit e Speciales e njollosën UÇK-në dhe NATO-n

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, në Klan Kosova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara nuk goditi vetëm të akuzuarit, por njollosi tërë luftën çlirimtare dhe aleancën me perëndimin.

Sipas Prosperit, vendimi i trupit gjykues për ta cilësuar UÇK-në si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” nënkupton absurdin se edhe NATO-ja ka hyrë në partneritet me një organizatë kriminale.

“Kur dëgjoni se çfarë kanë thënë, ata kanë thënë se ka qenë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale dhe kanë thënë se Hashim Thaçi e të tjerët kanë qenë në krye të të gjithë UÇK-së dhe të gjitha abuzimeve që ka bërë UÇK-ja. Nuk e kanë thënë se kanë qenë disa individë në UÇK që nuk e kanë bërë këtë, kështu u urdhërua ose një fraksion që ka qenë përgjegjës.

Ata kanë njollosur të gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në esencë kanë njollosur të gjithë trashëgiminë e çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë. Kanë njollosur NATO-n dhe në esencë kanë thënë se NATO-ja ka hyrë në partneritet me Ndërmarrje Kriminale. Tre burra dhe një herë e përsëris, dua që shikuesit tuaj të dëgjojnë se çfarë po them, tre burra kanë rishkruar dhe kanë shlyer historinë!”, tha avokati amerikan.

Prosper kritikoi gjithashtu përmendjen e pabazë të komandantëve të tjerë të UÇK-së që nuk ishin pjesë e gjykimit, si dhe mungesën e thellë të transparencës me mbajtjen hermetike të aktgjykimit prej më shumë se 2000 faqesh.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë krah Thaçit deri në pastrimin e plotë të emrit të tij gjatë apelit, proces ky që pritet të zgjasë rreth një vit, duke e cilësuar vendimin aktual si të padrejtë dhe të korruptuar moralisht.

Të ngjashme