Muriqi merr shiritin e kapitenit të Kosovës, Foda konfirmon zëvendësuesin

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi është emëruar kapiten i ri i Përfaqësueses së Kosovës. Vendimi është bërë publik nga trajneri Franco Foda, i cili në konferencën për media ka konfirmuar se sulmuesi do ta marrë shiritin e kapitenit pas tërheqjes së Amir Rrahmanit nga Përfaqësuesja, raporton Ekonomia Online.

Foda ka treguar se për këtë çështje është diskutuar edhe me futbollistët e ekipit, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë kapiteni i dytë.

“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda. Na presin lojë të vështira dhe dihet që në këtë grup është Austria favorite. Ne si Kombëtare kemi shumë qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B. Pastaj nëse paraqitemi mirë të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, tha Foda.

Në konferencë, përzgjedhësi gjerman foli edhe për përgatitjet e ekipit dhe integrimin e futbollistëve të rinj në grup. Sipas tij, lojtarët e rinj janë pritur mirë nga pjesa tjetër e ekipit, ndërsa puna gjatë ditëve të fundit ka qenë e fokusuar në fazën me dhe pa top.

“Kemi lojtarë shumë të mirë dhe kemi lojtarë që i kanë pritur mirë të rinjtë. Nuk kemi pasur aq shumë kohë por kemi punuar mirë me top dhe kur nuk e kemi topin. Mendoj se jemi përgatitur mirë për të luajtur ndaj Irlandës”, tha Foda.

Në anën tjetër, menaxheri i Përfaqësueses, Bajram Shala, ka sqaruar situatën me dokumentacionin e dy futbollistëve të rinj, Erblin Osmani dhe Dion Kaçuri.

Ai ka bërë të ditur se të dy lojtarët janë të gatshëm nga aspekti i dokumentacionit për të qenë në fushë, ndërsa nëse do të aktivizohen apo jo do të vendoset nga trajneri Foda.

Të ngjashme