(Gjysma akull – gjysma borë.)
…
1.
Mesazhi politik i Donika Gërvallës me Ligjin për Byronë është i qartë:
“Haga ua mori lirinë.
Unë do t’ua marr pasurinë.’
Ajo le të gëzohet.
Është dukuri e njohur për shkencën të qeshësh kur të tjerët qajnë.
Por unë kërkoj… të gëzohet hapur.
Të thotë se e pranon vendimin e Hagës. Bile, se i duket pak.
Të mos trembet nga gëzimi.
…
2.
Kosova:
një fshat me dy popuj shqiptarë.
Njëri është shumë i mërzitur.
Tjetri është i gëzuar.
Tinëz.
Mërzia nuk i është sulur gëzimit.
Për sherr, gëzimi po gëzohet edhe më shumë.
Dhe, në mënyrë perfide, po e ngacmon mërzinë që të mërzitet edhe më shumë.
Qeveria Kurti,
si okupatore e Kosovës, e shikon nga dritarja mërzinë e njërit popull.
Pjesa tjetër e popullit është angazhuar t’i lëndojë të mërziturit nëpër rrjete sociale.
…
Për ilustrim:
Albulena Haxhiu iu tha të mërziturve:
“Ejani këtu t’ju ngushëllojë.”
– Keni dëgjuar ndonjëherë që ai që mban zi të shkojë vetë te ngushëlluesi?
As te Katarina e Madhe.
…
3.
Shqiptarët u dënuan dhe faji i tyre mbeti sekret.
Por kryeministri “veteran i luftës” u pa duke kërcyer hopa në stadium.
I gëzuar për një gol.
Le të shqyhet nga gëzimi.
Pasi lumturia kushton kaq lirë, mund të gëzohet edhe për fatin e zi të “bashkëluftëtarëve” të tij.
Por nuk është bon ton.
Nuk është mirësjellje.
Është kulturë politike serbe.
…
4.
Në hyrjen ku kam jetuar në veri të Mitrovicës, shumica kanë qenë serbë.
Është e kotë.
Në daç sillu mirë.
Në daç ndihmoju.
Në daç respektoji – në gjuhën e tyre.
Në daç, kur e pastron dyshemenë para derës tënde, pastroje edhe para derës së tyre.
Ata janë kundër teje.
Politikisht.
Jo domosdo personalisht.
Në momentin kur filluan bombardimet e NATO-s, të gjithë, pa përjashtim – gra e të rinj – u armatosën kundër nesh.
Hyrja u bë, kat më kat, repart ushtarak.
Kësi kulture politike serbe kam vërejtur edhe në Qeverinë Kurti.
Kot i voton.
Kot sillesh mirë.
Kot shkruan mirë.
Kot punon mirë.
Kot i respekton.
Ata e kanë marrë vendimin paraprak:
Ti nuk je pjesëtar i popullit të tyre.
…
Për shembull.
Unë e kam votuar njërën që tash është ministre.
Nga mëshira.
Sepse unë ua jap votën vetëm atyre që më ngjallin mëshirë.
E njëjta nuk ma ka parë veprën.
As shkrimet.
As votën.
Ka thënë:
“Po, por kam dëgjuar (më ka thënë dikush) se Kimi në një kafehane ka folur keq për mua.”
Tipike për këtë kulturë politike serbe: merret me thashethemet, jo me veprat e tua.
S’po them se e kanë keq.
Po them se e kanë srbski.
Kulturë dyshimi.
Paranoje.
Pabesie.
Dhe, kur lodhen nga të gjitha këto:
të vrasin me propagandë.
Nejse.
Ti mbijeton.
Patjetër
…
5.
Tani, pikërisht për këtë sado-organizatë, PDK-ja u bë muhtaxh.
Të bëhesh nevojli për dikë që të urren – është mallkim.
Por zori të çon te dera e hasmit.
E hasmi as nuk do t’u ndihmojë.
As nuk do të vërehet se nuk do.
…
PDK-ja ka sharruar në patriotizëm.
Patriotizmi të çon në luftë.
Jo në zgjidhjen e problemeve.
Problemet zgjidhen me mend.
Jo me zemër.
Jo me dashuri.
Le të jetë mendja edhe e armikut – veç le të jetë e zgjuar.
Për fat të keq, shqiptarët edhe problemet përpiqen t’i zgjidhin me të vetët.
Prandaj nuk i zgjidhin.
…
6.
Tani, gracka më e rrezikshme e dashurisë është ajo e Edi Ramës.
Vetëm Vlora Hyseni e tejkalon me absolutizëm dashuror.
Të dëshpëruarit që ende besojnë në dashuri.
(Lum ata.
Për mallkimin e bukur.)
Sipas Edi Ramës, Shtetet e Bashkuara, me Bidenin, e tradhtuan Hashim Thaçin.
Edi Rama përdor retorikë të vjetruar.
Ani pse ai e di se “besnikëria” dhe “tradhtia” i përkasin kodeve të vjetra të nderit, kur aleanca kuptohej si besë personale…
fjalorit të odave e të këngëve të kreshnikëve.
Tani, kur patriotizmi po derdhet rrugëve të humbura, Edi Rama ua gjeti të mërziturve edhe fajtorin:
Amerikën.
– As Vuçiçi s’ka ditur kaq zi.
…
7.
Në Kosovë ekziston një mur urrejtjeje.
Herë i heshtur.
Herë i pashpallur.
Si një Mur Berlini që nuk shihet në hartë.
Edhe po të duash ta rrëzosh, nuk mundesh.
Sepse nuk është prej betoni.
Është mur shpirtëror.
Në njërën anë: LDK-ja, VV-ja.
Në anën tjetër: të tjerët.
Dhe ne.
Muri nuk ka roje.
Secili e ruan nga ana e vet.
…
EPILOG
Tani, tingulli më i bukur është heshtja.
Jo dashuri.
– Mençuri.
Sepse dashuria të çon në tradhti.
Mençuria ta ruan lirinë.
…
P.S.
Padashje.
Më ra rruga pranë një ndërtese ku dikur punonte një ish-mik imi dhe ma bënte me dorë nga dritarja.
Ndërtesa ishte e braktisur. Dritaret kishin zënë perde prej balte.
M’u kujtua.
Padashje.
Duke menduar për ish-dashuritë, rrëshqita.
Rashë me shpinë, pjerrtas.
Dy gra para meje dhe një burrë prapa kujtuan se mbarova.
Bërtitën.
Britma e tyre m’u duk si përqafim.
Ishte përqafimi më i çuditshëm që kam përjetuar.
Sikur ta dinin sa fort më përqafuan me frikën e tyre.
Nuk u lëndova.
Rikujtova:
Mendja të rrëzon.
….
AUTOKRITIKË
Tradhtia
Haxhi Zekës i thanë se filani e kishte tradhtuar.
– Jo – u përgjigj. – Atij s’i kam bërë kurrë ndonjë të mirë.
Prandaj dhemb.
Armiku nuk të tradhton.
…
Hamza Kastrioti e tradhtoi dajën.
Burrin e Rozafës e tradhtuan vëllezërit.
Moisi Golemi e tradhtoi Skënderbeun.
Gjergj Stres Balsha e shiti kështjellën për 30 mijë dukatë.
Ali Pashën e tradhtuan djemtë e tij.
Sulejmani i Madhërishëm e vrau të birin nga frika se po e tradhtonte.
Vlora Hyseni e tradhtoi Shqipërinë – për një mashkull.
Joe Biden e tradhtoi Hashim Thaçin.
(Nuk dihet arsyeja.)
Edi Rama nuk ia fali.
Deri në tradhtinë e radhës.
– Unë e kam tradhtuar veten.
…