Gian Piero Gasperini zbulon se si e ndihmoi Paulo Dybalan t’i lërë pas problemet me lëndimet te Roma dhe si e shfrytëzoi gabimin e Aston Villas me Donyell Malenin.
“Dybala është poet i futbollit”, tha ai.
Sezoni i tij i parë në “Stadio Olimpico” ishte një periudhë përshtatjeje, por gjithsesi arriti të siguronte vendin e tretë dhe rikthimin e klubit në Ligën e Kampionëve pas një mungese shtatëvjeçare.
Ky sezon ka nisur fuqishëm, me Romën që qëndron në krye të përbashkët të tabelës së Serie A së bashku me Interin dhe Lazion, ndërsa në Evropë mori një barazim 1-1 në udhëtim te Fenerbahçe.
“Seanca e parë stërvitore pritej me ankth, sepse pas shumë vitesh po përballesha me një ambient të ri”, tha Gasperini në aktivitetin “Festival dello Sport” në Trento.
“Edhe lojtarët ishin të etur, ndonëse ndoshta kishin dëgjuar se seancat e mia stërvitore ishin shumë të vështira dhe donin të ishin të përgatitur. Objektivi im i vetëm në atë sezon të parë ishte të krijoja disa baza të reja dhe të ndryshme, të bazuara në ide të qarta, me të cilat shumë prej lojtarëve nuk ishin mësuar. Koncepti i parë ku përqendrohem është se duhet të shkojmë dhe t’ua marrim topin kundërshtarëve, jo të presim që ata të na e dhurojnë”, shtoi ai.
Ai pranoi se largimi nga Atalanta pas nëntë vitesh, në një klub ku ndihej sikur ishte në shtëpinë e tij, përfaqësonte “kalimin e Rubikonit” në karrierën e tij, për të marrë përsipër një aventurë te “Stadio Olimpico”.
Gasperini lavdëroi “gladiatorët” e tij në mbrojtje dhe zbuloi se i kishte thënë Gianluca Mancinit se duhej “të ndryshonte qëndrimin e tij, sepse çdo kundërshtar e gjente të bezdisshëm dhe kjo e pengonte gjithashtu të ftohej në kombëtaren e Italisë”.
Zemra kreative e Romës përfaqësohet nga Paulo Dybala, i cili më në fund po gjen një formë të rregullt fizike pas kaq shumë vitesh me probleme lëndimesh.
“Kur erdha, mendova se ky do të ishte një problem stërvitjeje. Më thanë se ai kishte nevojë të pushonte rregullisht dhe të ruhej, por ai vazhdonte të lëndohej. Në disa situata, ai ishte vërtet i pafat, por këtë sezon ka qenë i jashtëzakonshëm dhe e përfundon me këmbë më të freskëta se shumë të tjerë. Kjo konfirmon se stërvitja është një komponent i rëndësishëm i futbollit dhe jo thjesht një detyrim. Ai po përmirësohet gjithnjë e më shumë, tani mund ta godasë topin ashtu siç e bënte më parë”, tha ai tutje.
Sa i përket talentit, për Gasperinin, “La Joya” është në majë.
“Kam stërvitur shumë poetë të futbollit gjatë karrierës sime, por Dybala është ndër më të mirët. Kam punuar me lojtarë si Jeda, Ilicic, Milito, të gjithë lojtarë që i quaj poetë, sepse kanë gjeste dhe prekje që askush tjetër nuk i bën”, u shpreh ai.
Një tjetër lojtar që ka gjetur një nivel të ri në karrierën e tij nën drejtimin e Gasperinit te Roma është Donyell Malen, i cili mbërriti nga Aston Villa në janar.
“Ndonjëherë një mundësi e papritur në merkato mund t’i ndryshojë planet tuaja. Kishte disa emra në tavolinë dhe papritur morëm vesh se Aston Villa po e shiste Malenin për shkak të çështjeve taktike. Ai donte të luante si qendërsulmues dhe gjithmonë kam menduar se aty është më i fortë, pasi është vdekjeprurës pranë zonës së rreptësisë. Të pranoj, nuk e prisja që shifrat e tij të ishin kaq mahnitëse. I thashë se Gonzalo Higuain shënoi 36 gola në Serie A në një sezon, por do të isha i lumtur nëse ai do të arrinte në 30”, e mbylli Gasperini./GazetaExpress/