Lionel Messi i dha lamtumirën kombëtares së Argjentinës në mënyrën më të bukur të mundshme.
Në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit, përpara më shumë se 85 mijë tifozëve, Argjentina triumfoi 3-0 ndaj Beninit, ndërsa kapiteni i saj ishte protagonist absolut, duke kontribuar në të tre golat e skuadrës.
Në paraqitjen e tij të 208-të me fanellën e Argjentinës, Messi shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime, duke mbyllur kështu një kapitull më shumë se dy dekada të gjatë me kombëtaren.
Gjithçka nisi në minutën e 48-të. Messi ekzekutoi një goditje nga këndi dhe Nicolás Otamendi u shfaq në zonë për të realizuar me kokë golin e avantazhit.
Në minutën e 61-të, radha ishte e Nico Paz. “Pleshti” dha një tjetër asistim perfekt, duke i mundësuar talentit argjentinas të dyfishonte epërsinë.
Por momenti më emocional erdhi në minutën e 71-të. Messi fitoi një penallti dhe mori përsipër ekzekutimin e saj. Me qetësinë karakteristike, ai e dërgoi topin në rrjetë dhe shënoi golin e 126-të me fanellën e Argjentinës.
Në “Monumental”, atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Mbi 85 mijë tifozë e përshëndetën legjendën me ovacione, brohoritje dhe emocione të mëdha.
Messi nuk mundi t’i përmbante lotët gjatë ceremonisë së lamtumirës. Në fund të ndeshjes, ai u rrethua nga shokët e skuadrës, kundërshtarët dhe stafi i Argjentinës, në një moment që simbolizoi fundin e një epoke.
“Të mos vij më këtu do të më dhembë shumë. Do të doja të isha këtu duke luajtur për gjithë jetën, sepse të luash për kombëtaren e Argjentinës është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë”, u shpreh Messi pas ndeshjes.
Ai largohet nga kombëtarja si rekordmeni absolut, me 208 paraqitje dhe 126 gola.
Me Argjentinën, Messi fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, dy herë Copa América dhe Finalissimën.
Një kapitull i jashtëzakonshëm u mbyll në “Monumental”. Lionel Messi i dha lamtumirën Argjentinës ashtu siç i ka hije një legjende: me një gol, dy asistime, një stadium të tërë në këmbë dhe lot në sytë e një kombi që e deshi dhe e adhuroi për më shumë se dy dekada.