Diplomati rus, Aleksandr Aleksandrovich Krasii, u akreditua këtë vit si asistent i atasheut ushtarak në Serbi, pesë vjet pasi mediat bullgare raportuan se ai ishte dëbuar nga vendi në kuadër të një skandali spiunazhi që shpërtheu mes Sofjes dhe Moskës.
Të dhënat e rrjedhura nga bazat ruse të të dhënave tregojnë se Aleksandr Krasii ka lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë (GRU), ka mësuar Systema, njësia hulumtuese në gjuhën ruse e Radios Evropa e Lirë (REL).
As Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dhe as Prokuroria Bullgare nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për informacion lidhur me rastin.
Hulumtimi i REL-it tregon se Krasii ndodhej në Serbi për rreth një vit pas dëbimit nga Bullgaria, por emri i tij u shfaq në listën diplomatike si asistent i atasheut ushtarak vetëm në vitin 2026.
Diplomati rus u dëbua në mes të një hetimi në Bullgari për një seri shpërthimesh në depot e armëve, për të cilat në atë kohë dyshoheshin shtetas rusë.
Moska mohoi çdo përfshirje në këto incidente.
Diplomati i dikurshëm dhe konsulenti për çështje gjeopolitike dhe të sigurisë, Nikolla Lluniq, i tha REL-it se ky rast tregon se qëndrimi i institucioneve serbe ndaj kësaj çështjeje, e cila është e pranishme prej kohësh, nuk ka ndryshuar.
“Shërbimet e sigurisë duhet ta kryejnë detyrën që u është caktuar me Kushtetutë dhe ta mbrojnë shtetin nga pikëpamja e sigurisë dhe kundërzbulimit. Ju [REL-i] e vutë në dukje këtë edhe në vitin 2023, por institucionet nuk reaguan në asnjë mënyrë”, tha Lluniq.
Në një hulumtim të mëparshëm të vitit 2023, REL-i identifikoi tre diplomatë rusë që nisën misionet e tyre diplomatike në Serbi pasi ishin dëbuar ose futur në listën e zezë nga vendet e Bashkimit Evropian, në muajt pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Në atë kohë, REL-i konstatoi se njëri prej tyre kishte lidhje me një njësi të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), e akuzuar për sulme kibernetike ndaj sektorit energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa një tjetër kishte lidhje me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.
Njëri prej tyre vazhdon të shërbejë si diplomat rus në Serbi.
Mediat zbuluan identitetin e diplomatit
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë dëboi një tjetër diplomat rus në fund të prillit të vitit 2021.
Siç thuhej në një deklaratë të lëshuar më 29 prill, dëbimi ishte pjesë e një serie dëbimesh, ndërsa ambasadori rus ishte thirrur për bisedime.
Megjithëse ministria nuk e bëri të ditur identitetin e tij, mediat bullgare e zbuluan atë.
Agjencia private e lajmeve Zona News dhe transmetuesi publik bullgar raportuan dy ditë më vonë se bëhej fjalë për nënkolonelin Aleksandr Krasii, i cili ishte asistent i atasheut ushtarak rus.
Zona News tha se këtë informacion e kishte marrë “nga burimet e saj”, ndërsa më vonë deklaroi se transmetuesi publik e kishte marrë informacionin prej saj pa cituar burimin.
Agjencia raportoi se Krasii duhej të largohej nga Bullgaria jo më vonë se më 5 maj.
Sipas Televizionit Kombëtar Bullgar, Krasii u bë diplomat i atij vendi në fund të vitit 2020 dhe mbërriti në Bullgari në fillim të vitit 2021.
U raportua, gjithashtu, se gjatë qëndrimit katërmujor kishte pasur vetëm një angazhim publik: në emër të ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ai i kishte dorëzuar një dekoratë një aktivisti të shoqatës së rusofilëve në Bullgari.