Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Shqipëria të martën më 13.10.2026, do të mbyllë edhe Kapitullin e 20-të për anëtarësim në BE.
Ky zhvillim pritet të ndodhë në Luksemburg ku do të mbahet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE.
Kapitulli ka të bëjë me “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
“Dhe me lajmin se sot në Luksemburg, Shqipëria hedh një tjetër hap drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur Kapitullin 20 në Konferencën e 10-të të negociatave të Anëtarësimit në BE, ju uroj një ditë të mbarë”- ka njoftuar Rama në Facebook.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.
Kapitulli 20 lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.