Avokati i Popullit me raport për Specialen: Nuk iu nënshtrua kontrollit demokratik

Prishtinë | 14 Tet 2026 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit, Avni Qelaj, ka prezantuar të gjeturat e raportit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në një tryezë diskutimi që po mbahet në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Në tryezën e diskutimit të mbajtur në Prishtinë, Qelaj ka theksuar se, sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai duke cituar raportin.

Sipas tij, mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës ngre shqetësime edhe lidhur me respektimin e standardeve për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Qelaj ka kërkuar nga financuesit e Gjykatës Speciale që të shqyrtojnë të gjitha provat dhe të vlerësojnë drejtësinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kam kërkuar nga financuesit e kësaj gjykate t’i shqyrtojnë të gjitha provat dhe të binden se kjo gjykatë nuk është e drejtë”, është shprehur Qela.

Kurse, këshilltar i lartë juridik në Departamentin për Çështje Juridike të IAP-së, Burim Tahiri, ka theksuar se “raporti nuk ka për qëllim ndërhyrjen në rastet që po trajtohen pranë Dhomave të Specializuara, por ngre shqetësime lidhur me standardet e përcaktuara për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, lirinë dhe sigurinë, efikasitetin e mjeteve juridike, si dhe transparencën dhe llogaridhënien institucionale”.

Raporti i publikuar nga Avokati i Popullit trajton çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e armëve mes palëve, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës.

Në mesin e rekomandimeve, Avokati i Popullit kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Të ngjashme