Mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në sektorët e energjisë, turizmit dhe digjitalizimit ishin në fokus të një takimi të përfaqësuesve të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Washington, D.C.
Anëtari i Bordit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Musa Metaj, së bashku me koordinatorin e Lidhjes së Bizneseve Kosovë–New York, Valmir Loxhaj, u takuan me Andrew Caruso, shef i Zyrës për Kosovën në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të avancimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në krijimin e partneriteteve të reja dhe promovimin e potencialit investues të vendit.
Energjia, turizmi dhe digjitalizimi u veçuan si sektorë me rëndësi për zhvillimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se marrëdhëniet me SHBA-në duhet të përkthehen gjithnjë e më shumë në investime konkrete, partneritete biznesore, qasje në tregje të reja dhe transferim të teknologjisë, duke krijuar mundësi të reja për prodhuesit dhe ndërmarrësit kosovarë.
Sipas organizatës, forcimi i lidhjeve me ekonominë amerikane mund të kontribuojë në rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe krijimin e vlerës së shtuar në ekonominë e Kosovës.
Në këtë drejtim, Lidhja e Bizneseve të Kosovës synon të luajë rol aktiv në ndërlidhjen e bizneseve vendore me partnerët amerikanë, duke promovuar kapacitetet prodhuese, shërbimet, burimet njerëzore dhe mundësitë për investime në Kosovë.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës e ka vlerësuar takimin si një mundësi për forcimin e komunikimit institucional dhe ekonomik, duke falënderuar Andrew Caruson për pritjen dhe bashkëbisedimin konstruktiv, si dhe Valmir Loxhajn për organizimin e takimit.
Organizata ka theksuar rëndësinë e thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, me synimin që miqësia ndërmjet dy vendeve të forcohet edhe përmes investimeve, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm.