Nga 15 tetori, ndalimi i konsumimit të alkoolit zbatohet në të gjitha 5.700 stacionet e Deutsche Bahn në Gjermani. Masa synon rritjen e sigurisë, uljen e konflikteve dhe mbajtjen më të pastër të hapësirave të stacioneve.
Hekurudhat gjermane Deutsche Bahn kanë zgjeruar ndalimin e konsumimit të alkoolit në të gjitha stacionet e trenit që menaxhojnë në Gjermani, përcjell albinfo.ch.
Rregulli, i cili nga 15 tetori është pjesë e rregullores së brendshme të kompanisë në të gjitha rreth 5.700 stacionet, synon të krijojë një ambient më të sigurt dhe më të pastër për udhëtarët dhe punonjësit.
Ndalimi ishte zbatuar më herët në disa stacione të mëdha, përfshirë ato qendrore në Këln, Heidelberg, Mynih dhe Hamburg.
Më 1 shtator, masa u shtri edhe në stacionin kryesor të Berlinit, Berlin Gesundbrunnen, si dhe në stacionet qendrore të Kielit dhe Braunschweigut.
Sipas Deutsche Bahn, përvojat nga stacionet ku ndalimi ishte zbatuar më herët kanë qenë pozitive. Kompania raporton për më pak mbeturina, ulje të konflikteve dhe një ambient më të këndshëm për udhëtarët dhe personelin.
Me shtrirjen e rregullit në të gjitha stacionet e saj, Deutsche Bahn synon të përmirësojë kushtet në hapësirat që përdoren çdo ditë nga miliona udhëtarë në Gjermani./Albinfo.ch