Kryeprokurori Gashi takon delegacionin amerikan, në fokus luftimi i kriminalitetit financiar

Prishtinë | 19 Tet 2026 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur në takim një delegacion të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, me të cilët ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në luftimin e kriminalitetit financiar dhe ekonomik.

Sipas komunikatës së Prokurorit të Shtetit, në fokus të takimit ishte bashkëpunimi në luftimin e pastrimit të parave, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, si dhe hetimin e veprave penale financiare.

Gjatë takimit u diskutua edhe për ofrimin e ekspertizës dhe njohurive profesionale për prokurorët e shtetit, me qëllim të forcimit të kapaciteteve profesionale dhe institucionale për luftimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.

Përfaqësuesit e delegacionit amerikan shprehën gatishmërinë për të mbështetur mekanizmat e krijuar nga Kryeprokurori i Shtetit.

“Përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur mekanizmat e krijuar nga Kryeprokurori i Shtetit, veçanërisht të mekanizmit Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, kryeprokurori Gashi shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së, me synim rritjen e efikasitetit në forcimin e sundimit të ligjit.

“Kryeprokurori i Shtetit shprehu gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit me Departamentin e Thesarit të SHBA-së me qëllim të ngritjes së efikasitetit në forcimin e sundimit të ligjit dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale për prokurorët e shtetit”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme