Serbia glorifikon korpusin e Prishtinës dhe hesht për krimet e luftës në Kosovë

Prishtinë | 19 Tet 2026 | 20:33 | Nga Ekonomia Online

Me dokumentarë që glorifikojnë ushtrinë serbe dhe anashkalojnë krimet e luftës në Kosovë, Serbia po vazhdon propagandën kundër UÇK-së. Promovimi i fundit nga Ministria e Mbrojtjes i një filmi për korpusin e Prishtinës ka nxitur reagime, ndërsa njohësit e sigurisë e shohin këtë si përpjekje për ta rishkruar historinë e luftës dhe për ta ushqyer narrativën nacionaliste serbe.

Me filma dhe dokumentare që glorifikojnë ushtrinë serbe dhe heshtin për krimet makabre të luftës në Kosovë, Serbia po vazhdon propagandën kundër UÇK-së. Këtë herë, Ministria e Mbrojtjes në Beograd ka promovuar dokumentarin “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu”, kushtuar një formacioni ushtarak serb, dy komandantët e të cilit u dënuan për krime lufte nga Tribunali i Hagës.

Premiera u mbajt në Nish, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe të Vlladimir Llazareviqit, ish-komandantit të korpusit, i dënuar për krime lufte të kryera në Kosovë.

Ministria serbe e paraqiti dokumentarin si dëshmi të heroizmit dhe sakrificës së ushtarëve, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, akuzoi UÇK-në, duke e cilësuar atë organizatë terroriste.

Por, për njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, kjo qasje dëshmon vazhdimësinë e propagandës serbe, e cila synon të rishkruajë narrativën e luftës në Kosovë dhe të paraqesë si heroike veprimtarinë e një strukture kriminale ushtarake, drejtuesit e së cilës janë dënuar për krime lufte.

“Kjo tregon hipokrizinë e politikës serbe, por edhe propagandën me të cilën, deri diku, kanë arritur ta bindin një pjesë të opinionit, sidomos me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe përmes provave të falsifikuara dhe të fabrikuara. Tani mundohen që opinionin e vet ta nxisin për një luftë të fuqishme që kanë bërë në Kosovë, por me një përfundim melankolik, pasi ata nuk ia dolën”, tha për RTK, Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Në këtë linjë, nga Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” vlerësojnë se promovimi i narrativave nacionaliste nga Serbia nuk mund të shihet i shkëputur nga orientimi i saj politik, i cili synon të përfitojë nga Perëndimi, ndërsa forcon afërsinë me Rusinë.

“Diskursi nacionalist në Serbi duhet të marrë përgjigje të qartë dhe të vendosur nga ana e Perëndimit, në veçanti nga Brukseli, për shkak se Serbia do të përpiqet, si deri më tani, ta ruajë pozicionin e dyfishtë të përfitimit, duke marrë fonde nga Perëndimi dhe duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë me Rusinë”, tha Arben Fetoshi nga Instituti “Octopus”.

Ky dokumentar është pjesë e përpjekjeve të Serbisë për të glorifikuar ushtrinë e saj, duke lënë në hije krimet dhe masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë. I prodhuar nga qendra filmike ushtarake “Zastava Film”, ai i paraqet veprimet e të ashtuquajturit “Korpusi i Prishtinës” vetëm nga këndvështrimi ushtarak serb, duke heshtur për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë. Një dokumentar tjetër në Serbi ishte realizuar më herët edhe për luftën në Koshare, duke e shtrembëruar historinë sipas qëllimeve të tyre.

Të ngjashme