Bedri Hamza jep dorëheqje nga kreu i PDK-së

Prishtinë | 21 Tet 2026 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza e ka njoftuar sot Kryesinë e PDK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë, raporton Ekonomia Online.

Hamza tha se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi.

Hamza pohoi se përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.

Ai tha se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.

“Besoj shumë se çdo përgjegjësi e ka edhe kohën e vet. Dhe çdo kryetar duhet ta kuptojë se kur është koha të marrë përgjegjësi, por edhe kur është koha ta hap rrugë për një fazë të re. Për mua, kjo kohë tashmë veç ka ardhur. Unë sapo e përfundova mbledhjen e Kryesisë dhe sot, para jush dhe para gjithë qytetarëve, dua të bëj publik vendimin tim. Sot kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ky është një vendim i menduar, i marrë me përgjegjësi dhe me bindje se partia jonë do të hyjë në një proces të ri ku anëtarësia do të ketë fjalën e saj dhe ku të rinjve do t’ju krijohet hapësira e merituar për të kontribuar. Që të jem i qartë, nuk po largohemi nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi dhe vlerat tona politike.
Dhe nga sot, e di çka kam gjetur, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme