Asgjë më nuk do të jetë e njëjtë.
Shpesh e dëgjojmë dhe e lexojmë këtë fjali. Sepse ajo përdoret vend e pa vend, për ta ngritur dramaticitetin e një vlerësimi për një dukuri/ ngjarje madhore, në ardhje e sipër.
Por kësaj here, janë gjasa të mëdha që ky konstatim është krejtësisht valid. Ai përkon me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen në Serbi, këtë të diele, me 25 tetor.
Pushteti i Presidentit të deritashëm, Aleksandar Vuçiqit, tash e gati dy vjet është në gjendje agonie, që nga tragjedia e Novi Sadit (1 nëntor, 2024), kur streha e ndërtesës kryesore të stacionit hekurudhor, e kthyer në gërmadhë, mbyti 16 qytetarë.
Vuçiq u mbijetoi të gjitha zhvillimeve tronditëse rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Serbisë, të cilat mblodhën qindra mijëra vetë, për të mbërri tek dyluftimi i madh me ’Lëvizjen Studentore’, këtë të diele.
Thonë që është Referendum, për apo kundër vazhdimit të pushtetit të Vuçiqit.
Thonë, po ashtu, që në të vërtetë, këto zgjedhje nuk do të zgjidhin gjë prej gjëje, sepse votimet do të manipulohen prej pushtetit, humbja zgjedhore nuk do të pranohet prej asnjërës palë (tek e fundit, nëse do të ketë mashtrime zgjedhore, si do të dihet kush ka fituar dhe kush ka humbur), dhe prej të hënës së 26 tetorit, politika dhe shoqëria serbe do të hyjë në fazën më të rrezikshme që nga (vetë)rrënimi i pushtetit të Slobodan Milosheviqit.
Thonë, më në fund, që asnjë variant i skenarit më të keq të mundshëm nuk mund të përjashtohet, teksa gjasat për një ftillim apo epilog të moderuar gravitojnë kah zeroja.
Çfarë pritet, me një siguri të madhe, është një dalje e madhe e qytetarëve në votime, e cila mund të mbërrijë edhe 70%.
Vetë kjo përqindje (eventuale), është, në realitet, paralajmërim për ndryshime dhe thyerje të mëdha në Serbi.
Por, në anën tjetër, një pjesëmarrje kaq e madhe në zgjedhjet vendimtare parlamentare në Serbi, pritet të ketë ndikim, për të keq në përfaqësimin e komuniteteve në përbërjen e Kuvendit të ri të Serbisë.
Në Serbi ka prag zgjedhor për partitë serbe (prej 3%), por jo për partitë/ koalicionet që përfaqësojnë komunitetet. Për to vlen pragun zgjedhor prej 0.4% të votës, për ta siguruar një mandat në Kuvendin i cili ka 250 ulëse.
Partitë politike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës krejt në fillimet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi kanë pasur dy deputetë, teksa viteve të fundit vetëm një (Shaip Kamberin, një politikan të vyer dhe të pjekur).
Kësaj here, subjektet politike të shqiptarëve do të garojnë të përbashkuar, gjë që vet prej vete paraqet vlerë në vete. Nuk do të ketë humbje të votës.
Megjithatë, nëse, siç u theksua tashmë, përllogaritjet e qëndrueshme spikasin një përqindje të lartë të participimit në zgjedhje, kjo do të thotë që si asnjëherë më parë, qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës (dhe ata që jetojnë në Kosovë por që kanë të drejtë të votojnë atje), do të duhet të mobilizohen për ta shprehur vullnetin e tyre politik në qendrat e votimit.
Në Kosovë, këtë e dimë të gjithë ne, komunitetet i kanë 20 ulëse të garantuara, pa marrë parasysh pjesëmarrjen e qytetarëve që u takojnë atyre në zgjedhje.
Diçka e tillë është shembull për rajonin dhe më gjerë.
Po të vlente kjo kornizë legale në Serbi, shqiptarët do t’i kishin dy apo edhe tri mandate të garantuara.
Por, e dimë cili është realiteti politik dhe legal në Serbi.
Është interes i Kosovës dhe i Shqipërisë, që shqiptarët të përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë, veçmas nëse do të jetësohen parashikimet të cilat u përmendën më parë, për hyrjen e Serbisë në një periudhë të zhvillimeve dramatike.