Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet J.J., i dyshuar për vrasjen e rëndë të vëllait të tij dhe për mbajtje të paautorizuar të armës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Bokshiq të Komunës së Klinës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se, pas një mosmarrëveshjeje pronësore ndërmjet viktimës dhe babait të tyre, ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të vëllait të tij.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka pësuar gjakderdhje të rëndë të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë. Ai më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Sipas njoftimit, përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri akuzohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka mbajtur pa autorizim një pistoletë të kalibrit 9×19 mm, me një karikator dhe dhjetë fishekë të të njëjtit kalibër, pa pasur leje nga organet kompetente.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.