Peci i kundërpërgjigjet Mustafës: Në vitin 2021, fermerëve u ke mbetur borxh mbi 41 milionë euro

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Faton Peci, kryetar i Mitrovicës dhe ish-ministër i Bujqësisë, i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve opozitarë të ngritura në Kuvendin e Kosovës lidhur me punën e tij në krye të kësaj ministrie. Peci i është drejtuar deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, duke pretenduar se në vitin 2021, fermerëve të Kosovës u kishin mbetur borxh mbi 41 milionë euro nga detyrimet financiare.

Peci ka thënë se gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024, sipas tij, janë përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj fermerëve, ndërsa mbështetja për sektorin e bujqësisë është rritur deri në 216 për qind krahasuar me mandatin e Mustafës.

Peci ka kritikuar edhe mënyrën e largimit të Mustafës nga Ministria e Bujqësisë, duke pretenduar se ai nuk kishte bërë as pranim-dorëzimin e detyrës.

Ai ka ngritur gjithashtu akuza për keqpërdorime në skemat e subvencioneve gjatë qeverisjes së mëparshme, duke përmendur raste të pretenduara të subvencionimit të parcelave të papërshtatshme dhe përsëritjes së pagesave për të njëjtat prona.

“Malin për grurë, varrezat për misër”, ka shkruar Peci, duke shtuar se, sipas tij, e njëjta parcelë ishte subvencionuar 12 herë, ndërsa i njëjti traktor ishte evidentuar 33 herë në Kosovë.

“Ti, Besian, s’ke pasë as ide, as vizion, as guxim me adresu asnjë problem në bujqësi”, ka shkruar Peci.

Të ngjashme