Gjini kritikon partinë në pushtet: Po i mashtrojnë qytetarët se po jetojnë më mirë, ndërkohë që po zhyten në varfëri

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar mungesën e debatit për çështjet ekonomike dhe problemet e përditshme të qytetarëve, duke thënë se Aleanca po insiston që diskutimi politik të përqendrohet te politikat konkrete.

Në emisionin “Context” në ATV, Gjini tha se pjesa dërrmuese e politikanëve nuk janë të përgatitur për të trajtuar temat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Pjesa dërrmuese e kolegëve të mi në politikë janë të papërgatitur plotësisht. Askush nuk flet për tema ekonomike. Aleanca është duke insistuar që të diskutohen politikat”, deklaroi Gjini.

Ai ngriti si çështje nevojën për të diskutuar perspektivën e të rinjve pas përfundimit të fakultetit dhe kushtet e jetesës së pensionistëve, të cilët, sipas tij, meritojnë ta gëzojnë pleqërinë pas dekadave të punës.

“Çka ka me bo një i ri që po e kryen fakultetin në Gjilan? Çka është duke bo një i pensionuar që i ka vitet e arta të pleqërisë, që duhet me kalu jetën mirë pasi e ka kalu gjithë atë mund për 50 vjet?”, tha ai.

Gjini kritikoi edhe atë që e cilësoi si paraqitje të pasaktë të gjendjes ekonomike të qytetarëve, duke thënë se njerëzit po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira dhe me varfëri.

Kreu i Aleancës theksoi se, krahas mbrojtjes së qëllimeve strategjike të Kosovës dhe historisë së saj, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet edhe problemeve ekonomike dhe sociale.

“Aleanca dhe unë nuk heqim dorë nga qëllimet strategjike të Kosovës, nuk heqim dorë prej historisë, kemi me e mbrojtë deri në fund. Ama nuk guxojmë krejt fokusin edhe energjinë me i kthy aty e mos me u marrë me mënyrën qysh po jetojnë njerëzit”, u shpreh Gjini.

Duke folur për autostradën e Gjilanit, ai tha se Aleanca e njeh rëndësinë e këtij projekti dhe se, sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk po i kushton vëmendjen e duhur.

“Kur flasim ne për autostradën e Gjilanit, na e dimë që nuk është kah i jep pesë pare Kurti”, përfundoi Gjini.

Të ngjashme