Analisti politik Artan Nimani ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me zhvillimet rreth Ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke kërkuar sqarime publike për ndryshimin e qëndrimit ndaj tij.
Përmes një postimi, Nimani ka thënë se votimi i ligjit dhe kërkesa për kthimin e tij në Kuvend vetëm dy javë më vonë, pa një shpjegim bindës, përbëjnë papërgjegjësi politike.
“Marrëzia ka emër, ndërsa përgjegjësia politike ka adresë. Nuk mund të luhet me çështje kaq të ndjeshme, të votohet një ligj dhe, vetëm dy javë më vonë, të kërkohet kthimi i tij në Kuvend, pa një shpjegim bindës për qytetarët. Kjo nuk është thjesht paqartësi politike; është papërgjegjësi që kërkon llogaridhënie”, ka shkruar Nimani.
Ai i ka kërkuar PDK-së të sqarojë nëse arsyet që po përdoren tani për kundërshtimin e ligjit kanë qenë të njohura edhe në kohën kur ai u votua.
“PDK-ja duhet të përgjigjet publikisht: A nuk i dinte arsyet që sot po i përdor për ta kundërshtuar ligjin kur e votoi? Nëse i dinte, votimi ishte i papërgjegjshëm. Nëse nuk i dinte, atëherë duhet të shpjegojë se si merr vendime për çështje kaq të rëndësishme pa i analizuar pasojat”, ka deklaruar ai.
Nimani ka theksuar se çështja e Dhomave të Specializuara nuk duhet të shndërrohet në mjet për improvizime politike, ndërsa ka kërkuar që dinjiteti i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos përdoret për të mbuluar gabimet politike.
“Nuk mund të përdoret çështja e Dhomave të Specializuara si terren për improvizime politike dhe as dinjiteti i luftës së UÇK-së si mbulesë për gabime që askush nuk dëshiron t’i pranojë. Për çështje të tilla nuk mjaftojnë deklaratat e vonuara, arsyetimet e paqarta dhe ndryshimet e qëndrimeve sipas rrethanave”, ka shkruar Nimani.
Ai ka kërkuar që PDK-ja të tregojë arsyet e ndryshimit të qëndrimit dhe të bëjë të ditur se kush mban përgjegjësi për këtë situatë.
“PDK-ja duhet të tregojë çfarë fshihet pas këtij ndryshimi të qëndrimit dhe kush mban përgjegjësi për të. Qytetarët nuk kanë nevojë për lojëra politike, por për të vërtetën”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, Nimani ka kërkuar llogaridhënie nga personat që kanë marrë vendimet, duke vënë në pah rëndësinë e çështjes së UÇK-së.
“Kush merr vendime të tilla duhet të ketë guximin të dalë para qytetarëve dhe të japë llogari. Historia e UÇK-së dhe dinjiteti i çlirimtarëve janë shumë të shenjta për t’u trajtuar me kaq lehtësi politike”, ka përfunduar Nimani.