Cakolli kritikon PDK-në për Ligjin për Specialen: Kjo tregon sa pak ishte menduar për ditën pas votimit

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Menaxheri i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me procesin e hartimit, miratimit dhe kthimit për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një postimi, Cakolli ka ngritur pikëpyetje për qëndrimin e PDK-së ndaj ligjit, duke vënë në pah se kjo parti kishte kërkuar miratimin e tij, ndërsa tani po kërkohet kohë shtesë për shqyrtimin e tij.

“Sa shumë non-sense për një çështje kaq me rëndësi… Qysh është e mundur që e njëjta parti t’i marrë meritat edhe për hartimin, edhe për miratimin, edhe për kthimin e Ligjit për Specialen, edhe pse vetë garantonte se gjithçka ishte në rregull dhe këmbëngulte për miratim të menjëhershëm?!”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka ngritur pikëpyetje edhe për thirrjet gjatë protestave për miratimin e ligjit, duke vënë në dukje se tash po kërkohet kohë për shqyrtimin dhe verifikimin e tij.

“Ku mbetën thirrjet, sidomos ato gjatë protestave, dhe qysh tash po kërkohet kohë shtesë për ta shqyrtuar e verifikuar ligjin që të gjithëve u kërkohej ta votonin me nguti?”, ka deklaruar ai.

Sipas Cakollit, kjo situatë tregon se PDK-ja nuk i kishte shqyrtuar sa duhet pasojat e mundshme pas miratimit të ligjit.

“Për PDK-në, kjo tregon sa pak ishte menduar për ditën pas votimit”, ka shkruar ai.

Cakolli ka shtruar pyetje edhe për mënyrën se si po paraqitet kthimi i ligjit, duke theksuar se Presidentja ka përgjegjësi kushtetuese për ta vlerësuar atë në mënyrë të pavarur.

“Pastaj, pse kthimi i ligjit po paraqitet si përgjigje ndaj kërkesës së PDK-së, kur Presidentja ka përgjegjësi ta vlerësojë vetë ligjin?”, ka pyetur ai.

Cakolli ka ngritur dilemë nëse ligji do të ishte dekretuar po të mos kërkonte PDK-ja kthimin e tij, edhe në rast se Presidentja do ta konsideronte të dëmshëm për interesat e Kosovës.

“Nëse e konsideronte të dëmshëm për interesat e Kosovës, a i bie se prapëseprapë do ta dekretonte atë, po të mos ia kërkonte PDK-ja kthimin?”, shtoi Cakolli.

Të ngjashme