Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke thënë se kërkesa e tyre ka qenë që ligji të jetë juridikisht i qëndrueshëm dhe të ketë efekt real.
Përmes një postimi, Haziri ka thënë se për 21 ditë e 21 net kanë qëndruar në shesh me kërkesën që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se edhe më herët kanë kërkuar që ligji të ndryshohet ose të përmirësohet, nëse gjatë shqyrtimit vërehen mangësi.
“Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se për organizatorët e protestave nuk ka rëndësi se kush e propozon apo e voton ligjin, por përmbajtja e tij dhe ndikimi që mund të ketë.
“Për ne nuk ka rëndësi kush e propozon apo kush e voton. Ka rëndësi çfarë përmban ligji dhe çfarë mund të bëjë ai”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë të ditur se do të vazhdojnë ta përcjellin procesin deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit, si dhe do të monitorojnë zbatimin e dispozitave të tij.
“Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit. Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje”, ka theksuar Haziri.
Në reagimin e tij, ai ka paralajmëruar se do të kundërshtojnë çdo përpjekje që, sipas tij, mund të cenojë kauzën për të cilën kanë protestuar.
“Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”, ka shkruar ai.
Haziri ka ritheksuar se kthimi i ligjit për rishqyrtim nuk e ndryshon qëndrimin e tyre.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar. Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, shtoi Haziri.