Haxhiu kërkon hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe përgjegjësi institucionale

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila u vra pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi nga stacioni policor, ku kishte denoncuar dhunën në familje.

Haxhiu ka theksuar se rasti kërkon shqyrtim përtej vetë vrasjes, duke përfshirë trajtimin e denoncimeve të viktimës, vlerësimin e rrezikut dhe masat e ndërmarra nga institucionet për ta mbrojtur atë.

Sipas Haxhiut, tri ditë para vrasjes, Zekaj i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë, duke shprehur frikën për jetën e saj dhe duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet.

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, citohet të ketë shkruar ajo.

Kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se, në kuadër të përgjegjësive mbikëqyrëse të Kuvendit, do të kërkojë që komisionet përkatëse parlamentare të shqyrtojnë funksionimin e mekanizmave për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe parandalimin e femicidit.

Ajo ka theksuar se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet vlerësimit të rrezikut dhe bashkërendimit ndërmjet institucioneve, me qëllim që të sqarohen veprimet dhe mosveprimet e mundshme institucionale dhe të përcaktohet përgjegjësia aty ku konstatohen shkelje.

Haxhiu u ka shprehur ngushëllime djalit të Arlinda Zekajt dhe të gjithë familjarëve të saj.

Të ngjashme