Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, të dyshuar për shitblerje të paautorizuar të narkotikëve dhe kultivim të bimëve narkotike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet J.A. dhe B.S. dyshohet se kanë marrë pjesë në transportimin e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me qëllim të shitjes së saj në Ferizaj.
Të dyshuarit janë ndaluar më 26 tetor 2026, rreth orës 17:15, nga zyrtarët policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj, në dalje të autostradës, në fshatin Bibaj.
Gjatë kontrollit të automjetit të tipit “Volkswagen Jetta”, policia ka gjetur një qese të zezë najloni, brenda së cilës ndodheshin dhjetë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 1,013.7 gramësh.
Prokuroria njofton se ndaj të dyshuarve ekziston dyshimi për kryerjen e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.
Të dyshuarit, që nga 26 tetori, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh.