Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku lista studentore shënoi fitore ndaj Aleksandar Vuçiqit, ndërsa Koalicioni Shqiptar siguroi dy mandate në Kuvendin e Serbisë.
Haxhiu për “Indeksonline” ka thënë se e vlerëson si domethënëse bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një koalicion të përbashkët, duke theksuar se përfaqësuesit shqiptarë do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës.
Ajo ka thënë se pasivizimi i adresave dhe pengesat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë ndikuar që ata të mos e fitojnë mandatin e tretë.
“Ne e mirëpresim që dy deputetët do të jenë në Kuvend për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve shqiptarë që jetojnë atje”, ka deklaruar Haxhiu, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të japë mbështetje financiare për Luginën e Preshevës.
Duke folur për ndryshimet politike në Serbi, Haxhiu ka thënë se rënia e regjimeve autoritare është zhvillim që e gëzon Kosovën, por ka shprehur rezerva se ndryshimi i pushtetit mund të mos sjellë menjëherë ndryshim të qasjes ndaj Kosovës.
“Republika e Kosovës qëndron e fortë, stoike dhe në vazhdimësi do ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial”, ka theksuar ajo.
Ndërsa, Haxhiu e ka vlerësuar si të suksesshme edhe vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarët e komunave me shumicë shqiptare.
Ajo ka theksuar se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte të shkëlqyera, me projekte të përbashkëta të realizuara dhe të tjera në proces, përfshirë infrastrukturën rrugore, tunelet dhe pikat kufitare. Haxhiu ka paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit dhe mundësinë e marrëveshjeve të reja në të ardhmen.