Ish-banorja e “Big Brother VIP”, Sara Gjordeni, ka ndarë me ndjekësit në Instagram disa pamje të syrit të saj, duke zbuluar se ajo, partneri i saj Bardhi dhe vajza e tyre e vogël, Nea, po përballen me një infeksion të syve.
Përmes disa postimeve, Sara ka treguar se bëhet fjalë për atë që e ka cilësuar si “grip sysh”, duke shprehur shqetësimin për përhapjen e këtij infeksioni dhe duke bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
Në postimin e parë, ajo ka treguar se gjatë ditëve të fundit ka marrë shumë mesazhe nga persona që po përjetojnë të njëjtat shqetësime.
“Gjatë këtyre ditëve më keni shkruar se edhe shumë prej jush po përjetojnë një epidemi të syve. Edhe unë po e kaloj gjithashtu, bashkë me Bardhin dhe Nean. Është një ‘grip sysh’ ose konjuktivit që po qarkullon. Arrin deri edhe të të rrjedhë gjak nga sytë, të të enjtën derisa nuk i hap dot më, me turbullim shikimi deri 70-80%, dhe nuk kalon pa u bërë muaji”, ka shkruar ajo.
Ndërsa në një tjetër postim, Sara ka apeluar që prindërit të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët dhe të shmangin kontaktet me persona të tjerë, duke përmendur edhe simptomat që, sipas saj, e bëjnë këtë infeksion veçanërisht të rëndë.
“Ruajini fëmijët të mos prekin këdo ose të mos i puthë kushdo. S’e keni idenë sesa persona më shkruajnë në ditë për këtë gjë. Dukshëm është diçka në masë. Realisht qenka shumë e rëndë, se paska shumë dhimbje, djegie dhe enjtje të gjëndrave përpara veshëve. Mos e neglizhoni! Kjo është arsyeja pse po i heq syzet askund”, ka shkruar ajo.
Postimet e saj vënë në pah shqetësimin për simptomat e këtij infeksioni dhe rëndësinë e kujdesit ndaj higjienës dhe kontaktit me persona të tjerë.
Megjithatë, simptomat e përshkruara nga Sara nuk duhet të konsiderohen si konfirmim i një diagnoze për të gjithë personat që përjetojnë shqetësime të ngjashme.
