Musliu kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlindës, PDK paraqet tri kërkesa për mbrojtjen e grave

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar llogaridhënie institucionale dhe tri veprime urgjente për mbrojtjen e grave nga dhuna, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Duke folur për vrasjen e Arlindës, Musliu tha se ky rast është dëshmi e dështimit të sistemit për të mbrojtur jetën e grave.

“Vrasja e Arlindës nuk është thjesht një tragjedi familjare. Ajo është dëshmia më e dhunshme e dështimit të sistemit tonë”, deklaroi ajo.

Musliu bëri të ditur se të martën kishte kërkuar që drejtori i Policisë të ftohej për raportim në Komisionin për Siguri lidhur me rastin, por, sipas saj, anëtarët e Vetëvendosjes kishin votuar kundër.

“Nëse nuk kërkojmë llogari kur një grua humb jetën, atëherë kur duhet ta kërkojmë?”, pyeti ajo, duke theksuar se raportimi shërben për transparencë dhe përgjegjësi, pa paragjykuar fajësinë e askujt.

Në emër të PDK-së, Musliu kërkoi rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë dhe koordinimin e menjëhershëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale për identifikimin dhe mbrojtjen e grave të rrezikuara.

“Urdhri i mbrojtjes duhet të jetë siguri në praktikë, jo thjesht një dokument i vdekur në letër”, theksoi ajo.

Kërkesa tjetër e PDK-së, sipas Musliut, është specializimi dhe forcimi i llogaridhënies institucionale.

Ajo kërkoi krijimin e skuadrave të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje, si dhe shkarkim të menjëhershëm e ndjekje penale për çdo zyrtar shtetëror që neglizhon sinjalet e dhunës, përfshirë policët, prokurorët, gjyqtarët dhe punëtorët socialë.

“Neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim”, u shpreh Musliu.

Në kuadër të kërkesës për reformë ligjore dhe buxhetore, deputetja kërkoi rishikimin e dënimeve për vrasjet me motive të ulëta gjinore dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret.

“Një grua që largohet nga dhuna nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet sigurisë dhe mbijetesës ekonomike”, deklaroi ajo.

Musliu theksoi se këto kërkesa përbëjnë detyrime kushtetuese ndaj qytetarëve. Ajo njoftoi se PDK-ja do ta përsërisë kërkesën për raportim të drejtorit të Policisë dhe do të insistojë që çështja të ndiqet institucionalisht, me afate dhe rezultate të verifikueshme.

Deputetja kërkoi gjithashtu luftimin e paragjykimeve që relativizojnë dhunën dhe të mentaliteteve që ushqejnë ndjenjën e pronësisë mbi gruan, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët të burrave dhe grave kundër dhunës.

“Ndryshimi i vërtetë nuk matet me numrin e fjalimeve patetike që mbajmë në këtë foltore, as me inate partiake, por me jetët që arrijmë të mbrojmë në terren. Fjalët nuk shpëtojnë jetë, veprimet po”, përfundoi Musliu.

Të ngjashme