Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar që Kosova të ndërtojë një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike, përmes së cilës do ta shpjegonte para botës kontekstin e luftës çlirimtare dhe rrugën drejt lirisë e pavarësisë, raporton Ekonomia Online.
Në fjalimin e saj në Kuvend, Hoxha tha se krahas mbështetjes juridike, politike dhe financiare për procesin e apelit në Dhomat e Specializuara, nevojitet edhe angazhim i organizuar diplomatik e kulturor.
“Kosova ka nevojë për një strategji të diplomacisë kulturore, publike dhe historike që e shpjegon luftën çlirimtare në kontekstin e saj të plotë, mbron dinjitetin e luftës për liri dhe njëkohësisht respekton drejtësinë, të drejtat e viktimave dhe pavarësinë e procesit gjyqësor”, deklaroi Hoxha.
Sipas saj, kjo strategji duhet të shkojë përtej reagimit ndaj një aktgjykimi dhe të shndërrohet në investim afatgjatë për prezantimin ndërkombëtar të historisë, identitetit dhe përvojës së Kosovës.
Hoxha kritikoi qasjen e deritanishme institucionale, duke vlerësuar se ajo ka qenë kryesisht reaktive. Ajo tha se gjatë gjashtë viteve të procesit në Hagë kanë qenë të pakta aktivitetet kulturore të prezantuara jashtë vendit që trajtojnë të vërtetën historike të Kosovës.
Në këtë kontekst, ajo ngriti shqetësimin për investimet e Serbisë në prodhime filmike dhe aktivitete diplomatike që, sipas saj, deformojnë historinë e luftës në Kosovë.
“Kosova duhet të kthejë kokën kah vetja, të mundësojë më shumë aktivitete kreative cilësore që shpalosin historinë tonë në mënyra bashkëkohore të komunikimit artistik”, theksoi ajo.
Deputetja e PDK-së kërkoi sigurimin e materialeve fotografike të luftës nga fotografët vendorë dhe agjencitë e huaja, si dhe rritjen e fondeve për hulumtime shkencore e botime akademike për historinë e re të Kosovës.
Sipas saj, angazhimi duhet të mbështetet në diplomacinë historike, kulturore, akademike, mediatike dhe qytetare, duke përfshirë diasporën dhe aleatët.
Hoxha kërkoi gjithashtu vendosjen e atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës dhe hartimin e Strategjisë së Kulturës. Ajo kritikoi mungesën e rezultateve në këto drejtime, pavarësisht marrëveshjes ndërmjet ministrive përkatëse në vitin 2020 dhe miratimit të koncept dokumentit për art e kulturë në vitin 2022.
Në përfundim, ajo bëri thirrje që Strategjia Shtetërore për Dhomat e Specializuara të përfshijë edhe aktivitete paralele diplomatike e kulturore, të cilat ndihmojnë kuptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës.
“Ju ftoj që në kuadër të Strategjisë Shtetërore për Dhomat e Specializuara të zgjerohet domeni i saj me aktivitete paralele shtesë që nuk e prekin apelin drejtpërdrejt, por krijojnë kontekst për partnerët tanë ndërkombëtarë ta kuptojnë në thelb kontekstin e luftës sonë për liri”, tha Hoxha.
