Haxhiu paralajmëron deputetët që pinë duhan në Kuvend: Do të thërras Inspektoratin

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka tërhequr vërejtjen deputetëve që po pinë duhan në ambientet e Kuvendit, duke paralajmëruar se do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që shkelin ligjin, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu tha se tymi i duhanit po arrin deri te ulësja e saj, ndërsa theksoi se deputetët duhet të jenë shembull në zbatimin e ligjit që miratohet nga vetë Kuvendi.

“Mos pini duhan. Përndryshe do të detyrohemi menjëherë që me kërku nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit dhe të marrin gjoba deputetët të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është thirrja e fundit, prandaj ju lutem që të keni parasysh këtë, sepse kjo realisht edhe cenon ndoshta zbatimin e barabartë të ligjit, sepse nëse ne kërkojmë nga dikush tjetër me zbatu ligjin, do të duhej që ne të ishim vetë shembulli i parë se si zbatohet ligji që miratohet nga ky Kuvend. Është thirrja e fundit dhe, në qoftë se edhe kjo thirrje nuk respektohet, do të kërkoj nga Inspektorati që të vijë dhe të ndërmarrë veprimet në përputhje me përgjegjësitë”, tha ajo.

Të ngjashme