Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT) ka mbajtur konferencën me temën “Zbatimi i Marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Sfidat Ligjore, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Operacionale”, ku përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të të drejtave të njeriut kanë diskutuar për sfidat juridike, institucionale dhe praktike që lidhen me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, raporton Ekonomia Online.
Në panelin e parë, të titulluar “Korniza ligjore dhe e politikave”, u diskutuan çështjet e juridiksionit, përgjegjësitë e shteteve, mbikëqyrja e institucioneve korrektuese dhe ndikimi që zbatimi i marrëveshjes mund të ketë në të drejtat e personave të privuar nga liria, si dhe në kapacitetet e burgjeve të Kosovës.
Drejtoresha Juridike në organizatën DIGNITY nga Danimarka, Therese Maria Rytter, ngriti shqetësime lidhur me përvojat e mëparshme ndërkombëtare të marrëveshjeve për transferimin e të burgosurve, duke theksuar se raste të tilla kanë përfunduar ose janë braktisur, ndërsa përfitimet dhe kostot e këtyre marrëveshjeve nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë.
“Deri më tani në histori, nuk kemi asnjë shembull pozitiv të marrëveshjeve të tilla që të kenë funksionuar në realitet. Marrëveshje të tilla u lidhën midis Belgjikës dhe Holandës, dhe ato përfunduan. Një marrëveshje e këtij lloji u lidh gjithashtu midis Norvegjisë dhe Holandës, por ajo u braktis. Dhe shohim gjithashtu Mbretërinë e Bashkuar duke shqyrtuar mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje me Estoninë, por ata hoqën dorë nga kjo ide. Dhe tani kemi Suedinë që po kërkon drejt Estonisë. Pra, shumë vende po përballen qartësisht me mbipopullimin e burgjeve, dhe po kërkohen zgjidhje, por deri më tani këto transferime ndërkombëtare të të burgosurve kanë pasur një çmim shumë të lartë. Ato mund të jenë të përshtatshme për shtetin dërgues, në këtë rast Danimarkën, sepse kemi mbipopullim. Ne kemi gjithashtu shumë të burgosur në Danimarkë që janë shtetas të huaj, të cilët janë dëbuar nga vendi, kështu që është e përshtatshme t’i dërgojmë jashtë vendit. Ne e kemi Kosovën, natyrisht, e cila merr financim dhe përdor hapësira të lira burgjesh. Por në fund të ditës, nëse i shqyrtojmë shembujt e ndryshëm që kemi në histori, ata që e paguajnë çmimin janë njerëzit që u është privuar liria. Dhe ju lutem vërtet ta keni parasysh këtë gjatë gjithë ditës kur të diskutojmë këtë marrëveshje”, deklaroi Rytter.
Ajo theksoi se një nga çështjet kryesore për zbatimin e marrëveshjes është përcaktimi i qartë i juridiksionit dhe i përgjegjësive të secilit shtet, veçanërisht në rastet kur mund të ketë shkelje të të drejtave të njeriut brenda institucioneve korrektuese.
“Duke iu kthyer pyetjes suaj të shkëlqyer, mendoj se një nga garancitë kryesore për efektivitetin e kësaj marrëveshjeje është qartësia rreth juridiksionit, pra autoriteti, se kush e ka autoritetin për të marrë vendime, dhe gjithashtu qartësia rreth përgjegjësive. Tani, nëse e shohim marrëveshjen ndërkombëtare midis Kosovës dhe Danimarkës, ekziston një juridiksion i përbashkët. Danimarka ka juridiksion për ekzekutimin e dënimeve. Kosova ka juridiksionin i cili është territorial. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, për shembull, se nëse ka raste brenda burgut ku të burgosurit i nënshtrohen keqtrajtimit nga rojet e burgut, nëse ata i nënshtrohen dhunës brenda burgut, përdorimit të tepruar të dhunës, apo edhe nëse ka vdekje në paraburgim, në të gjitha këto raste Danimarka ka detyrimin për të hetuar sipas së drejtës ndërkombëtare, por me këtë marrëveshje, ne heqim dorë. Qeveria daneze praktikisht ia ka dorëzuar juridiksionin Kosovës”, tha ajo.
Rytter iu referua edhe përvojës së Norvegjisë me marrëveshjen e mëparshme me Holandën, duke theksuar se paqartësitë rreth kompetencave hetimore mund të krijojnë vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Dhe pse po e përmend këtë? Po e përmend sepse kjo ishte saktësisht kritika e Avokatit të Popullit të Norvegjisë kur Norvegjia kishte një marrëveshje të ngjashme me Holandën. Pati vdekje në paraburgim, pati incidente keqtrajtimi, dhe Norvegjia nuk mund t’i shqyrtonte këto. Ishte policia holandeze ajo që po hetonte dhe po ndiqte penalisht, dhe si rezultat, Norvegjia nuk mund t’i përmbushte detyrimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës. Pra, kjo është vërtet, vërtet e rëndësishme që kjo marrëveshje jo vetëm ta bëjë jashtëzakonisht të qartë se cili është juridiksioni, por edhe të sigurojë që juridiksioni të jetë në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Danimarkës për të drejtat e njeriut”, theksoi Rytter.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, foli për përvojën e institucioneve të Kosovës në monitorimin e trajtimit të personave të privuar nga liria, por edhe për sfidat që paraqiten kur kompetencat e monitorimit dhe qasja në institucione kufizohen.
Ai vlerësoi se Kosova ka shënuar përparim në përafrimin e standardeve me ato të Bashkimit Evropian dhe me instrumentet ndërkombëtare, por paralajmëroi se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të shoqërohen me mekanizma të qartë të zbatimit dhe llogaridhënies.
“Unë prej vitit 2020, në momentin kur e kam marrë mandatin e Avokatit të Popullit, jam ballafaquar me një situatë jo të lehtë edhe problematike me disa qytetarë të Republikës së Kosovës që janë në dhomat e specializuara të gjykatës, e të tjerë. Dhe sa është e vështirë me i kontaktuar, sa është e vështirë me kry rolin e tyre si mekanizëm për parandalimin e torturës. Këtu me u bë me dije gjithmonë se cilat janë kufizimet e lidhura tek ushtrojnë kompetencat që i kam si Avokat i Popullit, dhe tu e monitoruar këtë institucion, një autoritet i cili mund me u përgjegjësi në raport me shtetin dhe Ligjin e Kosovës, pra është një Ombudsman i domosdoshëm që kur një raport nuk e ka prezantuar për gjendjen e të burgosurve atje. Ka pasur kryekëput ndërkombëtar, mundësi me monitoru dhe në pyetjet e mia se a keni monitoru dhe a keni hartu raporte, përgjigjet kanë qenë, po, raportet i kemi dërguar gjykatës. Dhe këtu besoj shpërfaqet njëri prej parimeve kryesore të monitorimit të burgjeve që lidhet me monitorimin i cili duhet të jetë publik, edhe nëse nuk ka shkelje. E për më tepër kur ka shkelje, sepse shoqëria, qytetarët duhet me e ditur se si po trajtohen, sidomos në fazën e fundit, apo kur nuk janë të dënuar, pra, konsiderohen të pafajshëm. Presumimi i pafajësisë duhet përcjellë çdo hap të secilit deputet nëpër organet e drejtësisë”, deklaroi Qelaj.
Ai përshkroi gjithashtu vështirësitë e komunikimit me personat e privuar nga liria dhe shqetësimet lidhur me mënyrën e trajtimit të tij gjatë ushtrimit të mandatit si mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës.
“Dhe për mua që kanë qenë në vështirësi me u kontaktuar dhe mund me marrë me mend çfarë sfida kanë pasur familjarët me i komunikuar me ata, për më tepër kur vrenë se edhe në këtë burg ka monitorim të vazhdueshëm të bisedave, vetë prezenca ime, natyrisht e regjistruar, ka monitoruar, edhe pse kam rolin e një mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës, unë jam trajtuar padrejtësisht dhe pa respekt nga një autoritet që pretendon me thënë të jetë i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Qelaj theksoi se Avokati i Popullit duhet të ruajë pavarësinë institucionale dhe se vlerësimi i një marrëveshjeje apo akti juridik bëhet në përputhje me kompetencat ligjore, pasi akti të jetë miratuar dhe të mund të shqyrtohet.
“Ajo që del shqetësuese, edhe ajo që duhet me u pa shqetësuese, është pikërisht një pyetje që nuk e keni parasysh. Natyrisht, Avokati i Popullit nuk ndërhyn dhe nuk vlerëson aktet jo përfundimtare, pret që një marrëveshje, një ligj, një vendim të ndodhë, për me mundur me e vlerësu dhe me ndërhyrë, për arsye se çdo ndërhyrje e mëhershme e bën palë në proces dhe mund të krijojë një problem”, theksoi ai.
Avokati i Popullit bëri të ditur se kishte diskutuar për këto çështje edhe me homologun e tij në Danimarkë, duke vënë në pah rëndësinë e konsultimit të institucioneve përkatëse dhe të përfshirjes së qëndrimeve të Kosovës gjatë marrjes së vendimeve.
“Unë kam pasur kënaqësinë ta takoj ombudsmanin e Danimarkës, me të cilin i kemi biseduar gjatë këto çështje dhe kam vërejtur një qasje tjetër në Danimarkë. Ai më ka treguar që asnjë veprim i autoriteteve të shtetit nuk është marrë pa u konsultuar dhe pa i marrë qëndrimet e opinionet e Republikës së Kosovës. Në rrafshin e Kosovës, ato qëndrime që unë i kam dhënë publikisht, edhe në konferencën e mbajtur nga Radio, nuk e di sa janë interferuar në kuadër të masave që shteti duhet t’i marrë në zbatim të kësaj marrëveshjeje, dhe pajtohem me parafolësin. Problemi i parë që del në këtë rast është se, nëse një marrëveshje ka boshllëqe në respektimin e të drejtave të njeriut, atëherë çka duhet shteti ynë të ndërmarrë që, në kuadër të një mënyre të delegimit të një pjese të sovranitetit në një shtet tjetër, të shohim cilat janë hapat që duhet t’i marrë Kosova që të mos jetë asnjëherë palë që shkel detyrimet ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut”, u shpreh Qelaj.
Avokatja Fatmire Haliti ngriti shqetësime lidhur me ndikimin e marrëveshjes në sistemin korrektues të Kosovës, veçanërisht pas lirimit të qendrës së paraburgimit në Gjilan, ku deri këtë vit ishin mbajtur rreth 200 persona.
Sipas saj, ndikimi i marrëveshjes ka filluar të ndihet në institucionet vendore, pasi të paraburgosurit janë transferuar në qendra të tjera, pa u shtuar paraprakisht kapacitetet e reja të nevojshme për akomodimin e tyre.
“Kur jemi te zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe ndikimi që ka në institucionet tona, ne po flasim çdo herë për përgatitjet që janë duke u zhvilluar në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje dhe në aspektin e të drejtave të njeriut, domethënë, dhe në menaxhimin e institucioneve korrektuese dhe të burgjeve në Kosovë, ne mund të themi se vetëm ndikimi i kësaj marrëveshjeje ka filluar tani në institucionet tona, sepse për të filluar përgatitja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje është dashur të lirohet qendra e paraburgimit në Gjilan, e cila deri këtë vit kanë mbajtur 200 persona të paraburgosur, ku një numër prej tyre ka qenë edhe të dënuar për vepra më të vogla apo me dënime më të ulëta. Dhe kjo menjëherë, domethënë, ka filluar të shfaqë ato pasoja, nëse mund t’i quaj, të kësaj marrëveshjeje; po flas në perspektivën e aktivistes së të drejtave të njeriut dhe monitorimit të këtyre institucioneve”, deklaroi Haliti.
Ajo kujtoi se gjatë dekadës së fundit Kosova kishte shënuar përparim në përmirësimin e kushteve të akomodimit të personave të privuar nga liria, përmes ndërtimit të institucioneve të reja korrektuese.
“Pse po e them këtë? Sepse ne e kemi ngritur që nga viti 2022 këtë çështje. Kosova gjatë 10 vjetëve të fundit ka pasur një progres në avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut sa i përket kushteve të akomodimit. Gjatë këtyre 10 vjetëve kemi pasur tri qendra të reja të ndërtuara, që ka qenë njëra nga ato qendra e paraburgimit në Gjilan, mandej qendra e paraburgimit në Prishtinë, e po ashtu edhe burgu i sigurisë së lartë. Ndërtimi i këtyre tri qendrave automatikisht e ka ngritur cilësinë e jetesës për të burgosurit, sepse në të kaluarën, domethënë, kanë qenë burgje të vjetra, sidomos i Prishtinës dhe i Gjilanit, dhe me hapjen e këtyre burgjeve ne kemi raportuar që ka pasur një ngritje të cilësisë së akomodimit”, tha ajo.
Haliti theksoi se transferimi i personave nga Gjilani ka shtuar presionin mbi qendrat ekzistuese të paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, ndërsa një pjesë e të burgosurve janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“Dhe tani, kur të kthehemi te ato pasoja që po i quaj unë në ndikimin e kësaj marrëveshjeje, 200 të burgosur që ishin të akomoduar në qendrën e paraburgimit në Gjilan, është dashur të transferohen në institucione të tjera korrektuese. Ne kemi rekomanduar që në fillim që të përgatitet infrastruktura adekuate dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që ky transferim të mos ndikojë në mbipopullimin apo mbingarkimin e qendrave të tjera. Në bazë të strukturës organizative dhe legjislacionit aktual në fuqi, ne kemi disa qendra të paraburgimit në Kosovë që janë ekskluzivisht qendra për t’i vendosur personat që janë në masën e paraburgimit, siç është qendra e paraburgimit në Prishtinë, me kapacitetin më të lartë, mandej i kemi edhe tri qendra që janë mjaft të vjetra, siç është qendra e paraburgimit në Mitrovicë, Pejë dhe Prizren.Përveç këtyre qendrave të paraburgimit, ne kemi edhe burgun e sigurisë së lartë, që është burg në një kategori të veçantë, ku parashikohen edhe pavionet, ku janë, domethënë, aty edhe pavionet për paraburgim. Mirëpo në këtë rast, domethënë, kur u ndërtua burgu i sigurisë së lartë, ka qenë i dedikuar për ata kryerës që janë me rrezikshmëri të lartë apo shkelës të ligjit. Edhe vetë niveli i sigurisë në atë institucion, infrastruktura fizike, parashikohet që aty të vendosen persona me rrezikshmëri të lartë që kanë nevojë për një mbikëqyrje të shtuar nga ana e institucionit korrektues. Dhe në këtë rast, domethënë, me transferimin e këtyre 200 të burgosurve, ne i kemi mbushur, në fakt janë mbipopulluar ato qendra ekzistuese të paraburgimit, sepse nuk i kemi shtuar kapacitete të reja, por janë dërguar ku ka pasur ndonjë vend aty-këtu në qendrat e paraburgimit, qoftë në Prishtinë, Pejë, Prizren apo Mitrovicë, dhe një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve nga Gjilani janë transferuar në burgun e sigurisë së lartë”, u shpreh Haliti.
Sipas saj, ndryshimet kanë ndikuar jo vetëm në kushtet e akomodimit, por edhe në kategorizimin e personave të privuar nga liria dhe në menaxhimin e sigurisë në institucionet korrektuese.
“Dhe kjo pikërisht ngre ato shqetësime të standardit të krijuar më herët, sepse ne tashmë edhe që kemi krijuar disa standarde, kemi filluar një kategorizim më të mirë se që ka qenë, dhe tani, domethënë, me këto ndryshime, sigurisht që kanë ndikuar edhe në aspektin e akomodimit, e po ashtu edhe në aspektin e menaxhimit të sigurisë. Përveç kësaj, përveç të burgosurve që janë transferuar, ne kemi pasur edhe transfer të stafit; ka qenë një numër i lartë i stafit të angazhuar në qendrën e paraburgimit në Gjilan, dhe me fillimin e renovimeve që janë duke ndodhur aktualisht që t’ju përshtatet, domethënë, infrastrukturës së kërkesave të shtetit të Danimarkës, është dashur edhe stafi i angazhuar në atë institucion të transferohet në qendra të tjera”, shtoi Haliti.
