Përfaqësues të bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile kanë kërkuar ndryshimin e mënyrës së financimit të pushimit të lehonisë në Kosovë, duke vlerësuar se barra financiare që aktualisht bie kryesisht mbi punëdhënësit mund të ndikojë negativisht në punësimin e grave, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë theksuar se bartja e një pjese më të madhe të përgjegjësisë te shteti mund të ndihmojë edhe në rritjen e punësimit formal të grave.
Këto çështje u diskutuan në panelin “Politikat familjare në Kosovë: Zgjidhje përmes bashkëpunimit”, në kuadër të tryezës “Rishikimi i politikave familjare të përgjegjshme ndaj gjinisë në Kosovë: Implikimet financiare, praktikat rajonale dhe alternativat e politikave”, të organizuar nga Instituti Riinvest dhe Forumi Ekonomik i Grave (FEG).
Lorika Tahiri nga Shoqata e Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve tha se sektori i prodhimit të tekstilit punëson një numër të madh të grave, çka e bën financimin e pushimit të lehonisë barrë të konsiderueshme për bizneset.
“Është industria shtyllë, e cila punëson më së shumti numrin e grave sidomos numrin e grave që janë në moshën e riprodhimit. Domethënë, 92.8% e të punësuara janë gra në këtë sektor. Në raport me numrin ose përqindjen e meshkujve, të punësuara në sektorin e prodhuesve. Mbas kësaj statistike, dhe mbas kësaj përqindjeje, ju e shihni edhe vetë çfarë barre e madhe është, pagesa e lehonisë. Domethënë, po, duke e marrë parasysh që prej kësaj 98.2% diku rreth 45-50% e tyre shkojnë në pushim te lehonisë, atëherë barra është jashtëzakonisht e madhe. Duke e marrë parasysh që marzhat e fitimit janë jashtëzakonisht të vogla në sektorin e prodhimit të tekstilit, ndërsa kërkesa për numrin e të punësuarve në këtë sektor është shumë e madhe”, tha ajo.
Tahiri tha se bizneset përballen edhe me vështirësi në punësimin formal të grave, pasi, sipas saj, disa prej tyre kërkojnë të punësohen në mënyrë joformale për të mos humbur përfitimet nga skemat sociale.
“Jemi ballafaqu jashtëzakonisht me probleme t’u fillu prej punësimit të tyre. Neve kur vijnë gratë me u punësu në këtë sektor, ato lypin me u punësu në ekonominë e zezë. Për shkak se nuk duan me dalë prej skemave sociale, kështu që ideja është që edhe enti për punësim edhe ministria në këtë rast, me ndryshu këtë skemë sociale për shkak se ato me ju dhënë mundësi me qëndru deri në 1 vjet, mirëpo pastaj me ju dhënë mundësi me i tregu ku i kanë mundësitë për me u punësu, e pastaj pas 1 vjetëve ato me i heq prej skemave sociale. Kjo do ta bënte edhe punëdhënësin do të jetë më e lehtë, mirëpo edhe punëtori do t’i gëzonte të drejtat prej kontratës edhe prej pagesës. Kjo na ka sjellur probleme të mëdha”, tha ajo.
Edhe Samir Lleshi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se reforma duhet të sigurojë mbrojtjen e prindërve pa krijuar barrë joproporcionale për punëdhënësit dhe pa ndikuar negativisht në punësimin e grave.
“Nga këndvështrimi i Odës Ekonomike, reforma e pushimit të lehonis dhe atësisë duhet të trajtohet jo vetëm si çështje e mbrojtjes sociale, por edhe si politikë që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës, dhe në funksionimin e biznesit dhe në konkurrencën e ekonomisë në përgjithësi. Pra bizneset nuk janë kundër krijimit të familjes as kundër garantimit të të drejtave dhe mbrojtjes së prindërve. Megjithatë, është e rëndësishme që mënyra e financimit të kësaj mbrojtjeje, të mos krijojë një barrë joproporcionale për punëdhënësit dhe, megjithatë, të mos krijojë stimuj që mund të ndikojnë negativisht në punësimin e grave, sepse ne sot këtë e kemi problem”, tha ai.
Lleshi theksoi se punësimi i grave nuk duhet të shihet nga bizneset si rrezik financiar për shkak të përgjegjësive familjare.
“Shqetësimi ynë është që një punëdhënës të mos e perceptojë punësimin e një gruaje si rrezik potencial financiar. Për shkak të kostos që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e saj familjare. Një reformë e tillë duhet të parandalojë këtë rrezik duke na siguruar që përgjegjësia për mbrojtjen e familjes të shmanget në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme. Në kushtet aktuale ekonomike, sfida e bizneseve që të gjithë jemi duke e parë sot është sigurimi i fuqisë punëtore të kualifikuar. Pra, tërheqja dhe mbajtja e talenteve dhe rritja e produktivitetit në konkurrueshmëri, prandaj fokusi duhet të jetë te aftësitë, kompetencat dhe procesi i punonjësve e jo te gjinia, apo te kostot shtesë që mund të ndikojnë në këtë, sepse sot bizneset sidomos te bizneset e vogla hezitojnë për shkak të kësaj kosto sidomos të punësojnë fuqi punëtore e cila është biologjikisht produktive”, tha ai.
Ndërkaq, Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet vlerësoi se ndryshimi i modelit të financimit duhet të shihet si bartje e përgjegjësisë aty ku i takon dhe jo thjesht si zhvendosje e kostos nga një palë te tjetra.
“Ndrrimi mos me e quajt “ndrrimi i anëve që e mbulon financimin”, por me e quajt “bartje e përgjegjësisë aty ku i takon”, po duket që po i afrohemi asaj. Edhe mbi të gjitha, kjo analizë shërben si evidencë e rëndësishme empirike, sepse qysh u përmend, vetëm muaji shtator i kemi 2100 lehona të punësuara që përfitojnë. Është numër shumë i vogël. Këtu i kemi edhe lehona që janë të punësuara në sektorin publik, që nuk e dimë saktësisht, po këtu, në këtë rast, qeveria është e merr barrën edhe si punëdhënës. Andaj, te sektori privat, mbetet pjesa tjetër. Si rrjedhojë, kalimi, ky kalim, përveç që një barrë e financiare që nuk duket të jetë e pamundur me e mbulu, ka me ndiku mbi të gjitha me e nxit punësimin formal. Sepse kur po themi 2100 janë pak, i kemi po ashtu 6800 lehona të papunësuara që janë të përfitu momentalisht. Dhe te këto të papunësuara është ideja me intervenu, me e ndërru kahjen, me dalë në treg, me u punësu, mbi të gjitha ato që na e dimë pak a shumë që janë të punësuara në mënyrë informale. U përmendën skemat sociale, u përmend lehonia që i kemi si faktor të identifikum që po na ndikojnë në papunësinë e grave, i kemi 24% grave veç të punësuara në Kosovë”, tha ajo.
Ndërkoh, ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se hulumtimet dhe analizat e bëra nga organizatat do të ndihmojnë në hartimin e një legjislacioni afatgjatë dhe të qëndrueshëm për politikat familjare.
Ai tha se propozimet duhet të shqyrtohen në bashkëpunim me institucionet dhe se, krahas një modeli më të drejtë të financimit të lehonisë, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet rikthimit të grave në tregun e punës pas përfundimit të pushimit të lehonisë.
“Hulumtimin dhe analizat që po i bëni, do të jenë ndihmesë shumë e madhe për ndërtimin e një legjislacioni të qëndrueshëm afatgjatë, edhe ai legjislacioni do të ndërtohet me ju, jo veç nga ne, dhe propozimin do ta pranojmë paraprakisht. Këtu po flasim për një model të financimit që, kur e sheh në anën tjetër, barra prapëseprapë është te qytetari dhe te biznesi. Buxheti i Qeverisë së Kosovës është te qytetarët, nuk është i shpikur, është edhe i biznesit, nuk vjen nga dikush tjetër, por mirë, pajtohem plotësisht që duhet të jetë më i drejtë, duhet të shikohet një model që të ketë një balancë të tillë. Por unë mendoj që fokusi këtu është me qenë pak më shumë te rikthimi në tregun e punës të grave, të cilat e kryejnë pushimin e lehonisë, dhe besoj që aty pastaj mund të diskutojmë modelet se si mund të arrijmë të ndalim këtë trend të padrejtë në largimin nga tregu i punës të grave të cilat kanë qenë të punësuara dhe nuk arrijnë të mbahen, kryesisht në sektorin privat. Natyrisht, qëndron kjo”, tha Hoti.
Paneli u mbajt në kuadër të diskutimit për rishikimin e politikave familjare në Kosovë, me fokus në financimin e pushimit të lehonisë dhe atësisë, ndikimin e tij në punësimin e grave dhe mundësitë për krijimin e një modeli më të drejtë e të qëndrueshëm për shtetin, punëdhënësit dhe familjet.
