Zhvillimi i industrisë përpunuese, krijimi i vlerës së shtuar dhe përmirësimi i kushteve për investitorët janë ndër synimet që duhet të ndjekë Kosova në sektorin minerar, në mënyrë që përfitimet nga pasuritë nëntokësore të mbeten brenda ekonomisë së vendit, raporton Ekonomia Online.
Në diskutimin me temën “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Komiteti i Grave në Energji dhe Miniera në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, përfaqësues të institucioneve dhe universiteteve kanë theksuar nevojën për investime, modernizim teknologjik dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademisë.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Arben Mustafa, ka thënë se një ndër prioritetet duhet të jetë krijimi i kushteve të favorshme dhe të parashikueshme për investitorët, përmes procedurave më të thjeshta dhe sigurisë më të madhe juridike.
“Qëllimi ynë është që vendimmarrja të jetë transparente, profesionale dhe në përputhje me ligjin, dhe që procedurat burokratike të mos shndërrohen në pengesë për zhvillimin e biznesit. Synimi ynë është që procedurat të jenë më të thjeshta, afatet të jenë më të qarta dhe siguria juridike të jetë më e madhe, në mënyrë që investitorët të kenë kushte të parashikueshme për të investuar dhe për të zhvilluar biznesin e tyre. Përmes dialogut të drejtpërdrejtë me bizneset dhe investitorët, synojmë t’i kuptojmë më mirë sfidat me të cilat përballen dhe t’i adresojmë ato përmes punës sonë legjislative dhe mbikëqyrëse si komision i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Krahas krijimit të kushteve për investime, duhet të synojmë që përfitimet nga sektori minerar të mbeten sa më shumë brenda ekonomisë së Kosovës. Kjo nënkupton jo vetëm nxjerrjen e lëndës së parë, por edhe zhvillimin e industrisë përpunuese, krijimin e vlerës së shtuar, transferimin e teknologjisë dhe hapjen e vendeve të qëndrueshme të punës në Kosovë. Investitorët amerikanë dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces, duke sjellë kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje më të lehtë në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, ka thënë se synimi është që zhvillimi i sektorit minerar të fuqizojë industrinë vendore dhe të rrisë mundësitë për përpunimin e lëndëve të para brenda Kosovës.
Ajo ka veçuar ndërmarrjen “Trepça” si aset strategjik të vendit, duke theksuar se përmirësimi i operimit të saj duhet të konsolidohet përmes investimeve, menaxhimit më të përgjegjshëm dhe modernizimit të teknologjisë.
“Synimi ynë është që zhvillimi i mineraleve dhe minierave të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë më shumë mundësi për përpunimin e vlerës së shtuar brenda Republikës së Kosovës. Trepça zë një vend të veçantë në këtë vizion si aset strategjik i Republikës, ajo mban rëndësi ekonomike, shoqërore dhe historike. Ecuria më pozitive e operimit të saj, krahasuar me periudhat e mëparshme, krijon një bazë të rëndësishme mbi të cilën duhet të ndërtojmë edhe më tej. Konsolidimi i këtij përmirësimi kërkon gjithashtu investime të arsyeshme, menaxhim më të përgjegjshëm dhe modernizim të teknologjisë, në mënyrë që mbështetja për këtë pasuri publike të përkthehet në rritje të kapaciteteve prodhuese, performancë të qëndrueshme dhe kushte më të mira për punëtorët”, tha ajo.
Kasumi Berisha ka bërë të ditur se Ministria synon të avancojë planet për skanimin dhe vlerësimin e pasurive minerale, si dhe të shqyrtojë mundësitë për gazifikimin e qymyrit, duke u bazuar në analiza të fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor.
“Prandaj, jemi të vendosur që të punojmë sistematikisht për të forcuar themelet e një industrie minerare të qëndrueshme. Në këtë kuadër synojmë të avancojmë planet për skanimin dhe vlerësimin e pasurive minerale, si dhe shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e qymyrit mbi baza të analizave të plota të fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor. Strategjia e re minerare do t’i japë këtij angazhimi drejtim të qartë dhe një kornizë të zbatueshme. Suksesi i saj do të varet nga cilësia e projekteve, bashkëpunimi dhe bashkërendimi në rezultate të mëdha. Kjo kërkon njohje më të thellë të burimeve tona përmes hulumtimeve bashkëkohore dhe të dhëna gjeologjike më të besueshme dhe më të qarta”, tha ajo.
Rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, ka vlerësuar se pasuritë minerare të Kosovës nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me kapacitete përpunuese dhe vlerësim të ndikimit ekonomik e mjedisor.
Sipas saj, bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private është i domosdoshëm për shfrytëzimin më efikas të këtyre pasurive.
“Ne e kemi cekur gjithmonë se Kosova është e pasur me miniera, është e pasur me minerale, por kjo nuk do të thotë se mjafton. Nuk është gjithmonë vetëm sasia, është me rëndësi se si procesohen ato, se si i kemi këto në efektin mjedisor, sa kanë ndikim edhe në efektin ekonomik. Pra, ne Kosovën mund ta shohim vetëm që është e pasur, por duhet ta shohim edhe në mënyrë tjetër, se si mund t’i procesojmë këto minerale, si mund të funksionojnë të gjitha pajisjet dhe të gjitha linjat e prodhimit që i kemi në kuadër të kompanisë Trepça, për shembull, ose në kuadër të kompanive private, Feronikeli, Sharrcemi dhe përfaqësues të tjerë të biznesit privat që jemi këtu. Mundësia e vetme që unë e shoh është që të kemi në kooperim më të madh në mes institucioneve, si ato private, si ato publike me universitetet. Mendoj se dijes deri më tani nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme e përgjithësimit të këtyre fushave në sektorin e minierave në Kosovë. Sepse nuk kemi pasur mbështetje të mjaftueshme gjithmonë, por besoj se prej tash e tutje do të kemi edhe mbështetje më të madhe si institucion që jemi”, tha ajo.

