Nga kutitë e votimit dolën me numrin më të madh të votave që nga viti 2000. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të bashkuar në një koalicion të përbashkët, fituan 27 mijë e 670 vota në zgjedhjet parlamentare në Serbi, rezultat që ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, e sheh si dëshmi të fuqisë së bashkimit politik, por edhe të sfidave për përfaqësimin e tyre në Kuvendin serb.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se, pavarësisht dy mandateve të fituara, shqiptarët kanë dëshmuar se janë faktor në skenën politike të Serbisë.
Sipas Mustafit, ky rezultat dëshmon se shqiptarët kanë arritur të mobilizohen dhe të bashkojnë forcat politike, ndonëse rritja e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhje ka ndikuar në përfaqësimin e tyre parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë nxjerrë të gjitha partitë politike në një koalicion të përbashkët, Koalicionin e Shqiptarëve, me çka i kanë bashkuar forcat për ta maksimalizuar edhe rezultatin. Kanë fituar 27 mijë e 670 vota. Është numri më i madh i votave që kanë marrë në historinë e tyre më të re, që nga viti 2000, e madje kanë edhe më shumë vota sesa në vitin 2020, për rreth 1 mijë e 300 vota, kur kanë fituar edhe tre mandate”, ka deklaruar Mustafi për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se, pavarësisht numrit rekord të votave, rritja e pragut të votave të nevojshme për përfaqësim, si pasojë e pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje, ka ndikuar që shqiptarët të mos e përsërisin rezultatin prej tre mandatesh.
“Po, ngritja e censusit, përkatësisht e numrit të votave në nivelin e daljes në zgjedhje, e ka penalizuar këtë drejtim. Komuniteti shqiptar, përkatësisht Koalicioni Shqiptar, tashmë, nga nëntë listat e pakicave, ka dalë i dyti më i votuari. I pari, së bashku me hungarezët, ka dy mandate në listat zgjedhore. Nga 18 lista që kanë garuar në këtë rast në Serbi për zgjedhjet, shqiptarët janë të katërtit për nga votat dhe të tretët, bashkë me hungarezët, për nga mandatet”, ka thënë ai.
Mustafi ka vlerësuar se dy mandatet e fituara nga shqiptarët, njësoj si ato të komunitetit hungarez, si dhe mandatet e fituara nga partitë e komunitetit boshnjak, krijojnë një hapësirë të re për përfaqësimin e pakicave në Kuvendin e Serbisë.
“Pavarësisht që duken pak, dy mandate i kanë fituar hungarezët, dy mandate i kanë fituar shqiptarët, edhe nga një mandat dy parti që vijnë nga komuniteti boshnjak, çfarë ka krijuar një hapësirë tjetër për kontributin që kanë dhënë në këtë ndryshim të madh”, ka deklaruar Mustafi.
Ai ka theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve në parlamentin serb merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të rolit opozitar që, sipas tij, deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka pasur ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe qeverisjes së tij.
“Duke pasur parasysh që komuniteti shqiptar, përkatësisht deputeti Kamberi, ka qenë opozita e vërtetë në Serbi për 14 vjet kundër Aleksandar Vuçiqit, kundër qasjes së tij autoritare e regjimit hibrid, kjo ka krijuar hapësirë më të madhe që shqiptarët e Luginës së Preshevës ta tregojnë në këto zgjedhje se vërtet janë faktorë”, ka përfunduar Mustafi për Ekonomia Online.
Fitorja e lëvizjes protestuese të udhëhequr nga studentët në zgjedhjet e së dielës i dha fund periudhës së gjatë të pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe, në fakt, hap një kapitull të ri politik në Serbi.
Me 99% të votave të numëruara, lëvizja e udhëhequr nga studentët ka siguruar 52,65% të votave, duke lënë pas aleancën e drejtuar nga Partia Progresive Serbe (SNS), e cila ka marrë 39,2%. Pjesëmarrja në votime i është afruar 70%, niveli më i lartë që nga viti 1992.
Më 8 shtator, Vuçiq kishte njoftuar shpërndarjen e Parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
