Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Andon Jasharit, të dyshuar për vrasjen e Diana Kastratit në maj të vitit 2011.
Sipas aktakuzës së siguruar nga gazetarja e Klan Kosova, Blerta Ahmeti, ish-partneri i Dianës, Andon Jashari, ngarkohet me dy vepra penale: “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton Klankosova.tv.
Në këtë dokument, Prokuroria përshkruan në detaje rrethanat e vrasjes, dhunën që, sipas saj, i kishte paraprirë ngjarjes, si dhe veprimet e të pandehurit në momentin e shkrepjes së armës.
Ndërkaq, njëra nga dëshmitaret e propozuara nga Prokuroria, V.R., në deklaratën e dhënë para Prokurorisë, ka përshkruar momentin kur, sipas saj, Andon Jashari e qëlloi për vdekje Diana Kastratin.
Ajo ka deklaruar se ditën kritike ishte duke u kthyer në shtëpi me veturën e saj, kur kishte vërejtur Dianën dhe të pandehurin duke u fjalosur dhe, sipas saj, ndoshta edhe duke u shtyrë.
Dëshmitarja ka thënë se Diana kishte një çadër në dorë dhe dukej sikur po përpiqej të largohej nga ai.
“Për një moment, kur jam afruar me veturë afër tyre, dera ime ishte përballë tyre, kam vërejtur kur ai personi nga beli ka nxjerrë revolen me ngjyrë të zezë dhe me të njëjtën e ka gjuajtur tani të ndjerën Diana në kokë dy herë, ndërsa ndërkohë me një dorë e ka mbajtur për koke tani të ndjerën”, ka deklaruar V.R. para prokurorisë, raporton Klankosova.tv.
Ajo ka treguar se nuk kishte mundur ta hapte derën e veturës, pasi trupi i Dianës kishte mbetur i shtrirë afër derës së shoferit.
Sipas dëshmisë së saj, pasi kishte shtënë me armë, personi e kishte futur revolen në brez dhe ishte larguar i qetë në drejtim të rrugës së Tregut.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka caktuar të martën seancën për shqyrtimin kryesor të rastit të Diana Kastratit më 10 nëntor të këtij viti, në orën 09:30.