Pronari i poligonit të armëve në Gjakovë arrestohet, dyshohet se inskenoi vjedhjen

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Një pronar i një poligoni të licencuar të armëve në Gjakovë është arrestuar, pasi dyshohet se kishte inskenuar një rast të vjedhjes së rëndë dhe se armët i kishte shitur te persona të tretë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ishte raportuar më 30 tetor 2026 si vjedhje e rëndë në një depo (poligon) armësh në Gjakovë.

Mirëpo, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kanë ngritur dyshime se raportimi i pronarit për vjedhjen ishte i inskenuar.

Policia bën të ditur se dyshohet që armët në poligonin e licencuar ishin keqpërdorur dhe shitur te palë të treta nga vetë pronari.

“Me qëllim të sigurimit të provave shtesë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’ dhe ‘Deklarimi i rremë’, sot më 03.11.2026 njësitet policore […] kanë zhvilluar kontroll në tri lokacione në rajonin e Gjakovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë këtij aksioni është arrestuar i dyshuari V.C., mashkull kosovar, ndërsa janë sekuestruar dëshmi që do të përdoren në procedurën penale.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Të ngjashme