Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Midterm Elections), duke thënë se rezultatet e tyre mund të kenë ndikim jo vetëm në politikën amerikane, por edhe në zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë Kosovën.
Në një postim në Facebook, Ahmeti ka theksuar se asnjë shtet tjetër nuk ka ndikim të tillë global përmes zgjedhjeve, sikurse SHBA-ja, ndërsa ka përmendur edhe ndikimin e politikave të presidentit Donald Trump në çmimet në Kosovë.
“Nuk ka asnjë shtet tjetër në botë, zgjedhjet në të cilin ndikojnë në krejt botën, ashtu siç ndodh me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeverisja e secilit president ka trazuar botën në regjione të ndryshme, por asnjëra si kjo e fundit e Trump që na ka rrit çmimet edhe në pompat tona”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shpjeguar funksionimin e sistemit zgjedhor amerikan, duke përshkruar përbërjen e Kongresit, i cili përbëhet nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.
Sipas Ahmetit, në zgjedhjet e 3 nëntorit votohet për të gjitha ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila zgjidhet çdo dy vjet, si dhe për një të tretën e Senatit.
“Në këto dy vite edhe Senatin edhe Kongresin e kanë kontrolluar republikanët (Trumpi). Sot priten ndryshime. Pothuajse është e sigurt që demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa gara më e madhe është ajo e Senatit”, ka shkruar ai.
Ahmeti ka veçuar edhe garat në Michigan dhe Teksas, të cilat, sipas tij, mund të jenë përcaktuese për shumicën në Senat.
“Janë dy gara të mëdha që do të mund ta përcaktojnë shumicën: Gara në Michigan në mes të kandidatit demokrat Abdul El-Sayed (muslimani i parë potencial në Senat – mjek jashtëzakonisht karizmatik) dhe republikanit Mike Rogers – përfaqësues tipik i lëvizjes Trumpiane MAGA.
Dhe gara në Teksas mes kandidatit të ri demokrat James Talarico dhe republikanit Ken Paxton, që mund të jetë hera e parë pas 38 viteve që Teksasi të ketë senator nga Partia Demokratike”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka vlerësuar se edhe një shumicë e ngushtë e demokratëve në Senat do të mund të ndikonte në mënyrën se si presidenti Trump e ushtron pushtetin.
“Shumica në Senat do të jetë e ngushtë pa marrë parasysh partinë, por edhe vetëm një votë më shumë e demokratëve do ta ndryshojë politikën ditore dhe do t’i lidhë duart e lira të Trumpit”, ka theksuar ai.
Ish-kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar se rezultatet e zgjedhjeve mund të përcillen me kontestime dhe zhvillime politike në vende të ndryshme të botës.
“Sot priten kontestime e gjatë javës edhe veprime politike të paparashikueshme nëpër botë përfshirë luftërat, çmimet, politikat etj. Mbahuni!”, ka shkruar Ahmeti.
Në fund, ai është ndalur edhe te mundësia e nisjes së procedurës së shkarkimit të presidentit amerikan (impeachment), duke sqaruar se një proces i tillë kërkon shumicë të cilësuar në Senat.
“Për fund, shumë po përmendet ‘impeachment’ që njihet si gjykimi i presidentit të SHBA-së për shkelje ligjore dhe largimi nga posti nëse fitojnë demokratët. Kjo është praktikisht e pamundur.
Në sistemin amerikan, presidentit aktakuza i ngrihet nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë të thjeshtë, ndërsa gjykimi bëhet në Senat, dhe largimi nga posti e shpallja fajtor kërkon 67 vota (2/3). Në teori e mundshme, në praktikë e pamundur duke marrë parasysh dallimet në vota”, ka përfunduar Ahmeti.