Kryeministri Edi Rama ka folur për sfidat e integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo në samitin “Euronews Enlargement Summit”.
Rama u ndal te marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe Bashkimin Europian, si dhe te perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë, duke theksuar se objektivi i qeverisë është mbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Rama: Ka shumë çështje komplekse, por në fund nuk ka asgjë më të mirë se BE.
Tadeo: Serbia ka një ndryshim në udhëheqje, çdo të ketë më shumë ndërlikime pas kësaj?
Rama: Po nuk e ditët ju, ku ta di unë? Po pres që ta mësoj nga Euronews. Ajo çfarë di është se fituesi në Beograd nuk tregon hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, që është çështja e Kosovës. Janë tërësisht të mbyllur, çka nënkupton se muzika nuk do të ndryshojë. Unë nuk i jap leksione askujt, jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është pjesë e plotë e BE. Ne këtu dëgjojmë leksione. Serbia është pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor, por gjithnjë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar. Por nëse duhet të hysh në BE, të duhet të realizosh gjëra në disa aspekte. Serbia ka pasur qëndrim ndryshe jo vetëm për Kosovën, por edhe në lidhje me Rusinë dhe gjëra të tjera. Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi.
Tadeo: Mali i Zi mund të anëtarësohet në BE për dy vite, sepse është i vogël dhe nuk prish punë, apo ka diçka tjetër. Flitet gjithashtu se pas kësaj, Shqipëria do të jetë në “pole-position”…
Rama: Nuk jam aq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Shoh afate që janë fashitur rrugës, sesi BE nuk ka realizuar detyrat e veta, por edhe sesi BE ka bërë më shumë seç pritej. Nuk i dihet me BE. Ne po punojmë fort në plan të përbashkët për të mbyllur negociatat në fund të 2027-ës. Kjo do të jetë thelbësore, sepse tregon se ne e kemi bërë punën tonë.