Kryeprokurori i Shtetit cakton mbikëqyrës për Prokurorinë e Apelit, Specialen dhe prokuroritë themelore

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka nxjerrë vendim për caktimin e prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit si mbikëqyrës të Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale dhe prokurorive themelore.

Sipas njoftimit, ky vendim është marrë me qëllim të rritjes së efikasitetit, sigurimit të zbatimit unik të praktikave dhe respektimit të ligjshmërisë në sistemin prokurorial.

Prokurorët e caktuar do të kenë përgjegjësi për mbikëqyrjen e menaxhimit dhe efikasitetit të prokurorive përkatëse, si dhe për mbështetjen dhe këshillimin e tyre në zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në kuadër të detyrave të tyre përfshihet edhe monitorimi i trajtimit të lëndëve të vjetra dhe atyre me prioritet, identifikimi i sfidave institucionale, mbikëqyrja e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve, si dhe pjesëmarrja në kolegjiumet e prokurorive ku janë caktuar.

Megjithatë, në ushtrimin e këtyre përgjegjësive, sipas vendimit, do të respektohet pavarësia funksionale e prokurorëve.

Përmes këtij vendimi synohet forcimi i llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimi i koordinimit dhe komunikimit të brendshëm, me qëllim të përmbushjes së prioriteteve dhe objektivave të Prokurorit të Shtetit.

Të ngjashme