Organizatat shprehin shqetësim për rritjen e rasteve me fruth në Kosovë, u bëjnë thirrje prindërve për vaksinimin e fëmijëve

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC), Shoqata për të Drejtat e Pacientëve (PRAK) dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS) kanë shprehur shqetësim për rritjen e rasteve me fruth në Kosovë, duke u bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin me kohë të fëmijëve, raporon Ekonomia Online.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), nga 16 prilli deri më 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, ndërsa 27 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.

Në reagimin e përbashkët, organizatat theksojnë se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë ndërlikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët e vegjël.

Ato u bëjnë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë marrjen e të gjitha dozave të rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

Gjithashtu, prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara, inkurajohen të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues.

Organizatat kanë theksuar edhe rëndësinë e rolit të profesionistëve shëndetësorë në informimin dhe këshillimin e prindërve, duke vlerësuar se shqetësimet dhe pyetjet lidhur me vaksinimin duhet të trajtohen përmes komunikimit të hapur dhe informacionit të bazuar në dëshmi shkencore.

Në këtë kontekst, ato i janë referuar edhe vlerësimit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të publikuar në shtator të vitit 2026, sipas të cilit dëshmitë shkencore nuk mbështesin ekzistencën e një lidhjeje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit.

Në fund, KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS kanë vlerësuar përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, IKShPK-së, komunave dhe profesionistëve shëndetësorë për vaksinimin dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Ato kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, organizatat profesionale e akademike dhe familjet, me synim rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe përmirësimin e shëndetit të fëmijëve në Kosovë.

Të ngjashme