Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar progresin e arritur nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në zbatimin e reformave dhe rekomandimeve për avancimin e administrimit tatimor në vend, raporton Ekonomia Online.
“Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Planit Strategjik të ATK-së për periudhën 2022–2026, veçanërisht në forcimin e qeverisjes institucionale, menaxhimin e rreziqeve të përmbushjes tatimore dhe avancimin e funksioneve kryesore të administrimit tatimor”, thuhet në njoftim për media të ATK-së.
Sipas njoftimit, në këtë drejtim ata theksuan rëndësinë e rezultateve pozitive në mbledhjen e të hyrave, të cilat kanë kontribuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe operative të administratës tatimore.
“Synimi ynë është ndërtimi i një administrate tatimore moderne, të digjitalizuar, të bazuar në të dhëna dhe të fokusuar në rezultate konkrete, me shërbime më cilësore për tatimpaguesit”, është orientimi që reflekton strategjia e ardhshme e ATK-së. Po ashtu, gjatë vizitës u shqyrtua progresi në kuadër të programit të fazës së tretë për Evropën Juglindore, të financuar nga EU-SECO, si dhe u diskutuan mundësitë për mbështetjen e ardhshme në zhvillimin e kapaciteteve përmes Qendrës Rajonale për Asistencë Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC) të FMN-së”.
Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të rekomandimeve të FMN-së dhe thellimit të bashkëpunimit për avancimin e mëtejmë të reformave.
“Nga ana e saj, ATK-ja ka vlerësuar bashkëpunimin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tij në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, forcimin institucional dhe modernizimin e administrimit tatimor në Kosovë. Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë në vazhdimin e reformave dhe në ndërtimin e një administrate tatimore më efikase, transparente dhe të orientuar drejt rezultateve”.