Ministri i Transportit i Spanjës ka paraqitur dorëheqjen të martën, pas aksidentit hekurudhor të javës së kaluar, ku humbën jetën 69 persona. Ky ishte një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në Evropë gjatë këtij shekulli.
Oscar Puente, i cili më herët ishte zotuar se do të punonte “pa u lodhur” për të rikthyer besimin në rrjetin hekurudhor të Spanjës për trenat e shpejtësisë së lartë, i dyti më i madhi në botë, njoftoi gjithashtu se do të tërhiqej nga gara për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vend, shkruan The Guardian.
Aksidenti i javës së kaluar, së bashku me një tjetër fatkeqësi hekurudhore në fillim të këtij viti, kanë lënë në hije fushatën për zgjedhjet e 29 nëntorit. Në sondazhet e opinionit publik, kryeministri socialist, Pedro Sanchez, po mbetet prapa kundërshtarëve të tij.
Puente e kishte përjashtuar dorëheqjen në disa raste që nga aksidenti.
Megjithatë, në përfundim të një seance të gjatë dëgjimore para deputetëve, ai deklaroi: “Dëshiroj t’ju njoftoj se jo vetëm që po largohem nga pozita e ministrit të Transportit, por po tërheq edhe kandidaturën time nga listat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit”.
Disa orë më herët, në një konferencë për media, gjatë së cilës prezantoi masat për përmirësimin e sigurisë, ministri kishte thënë se qeveria do të “punojë pa u lodhur për të fituar dhe rikthyer besimin e publikut në transportin hekurudhor me shpejtësi të lartë”.
Opozita e krahut të djathtë, e cila kishte kërkuar dorëheqjen e Puentes, si dhe sindikatat, e kishin kritikuar atë për shkak se dukej sikur po ia linte të gjithë përgjegjësinë për aksidentin një operatori të qendrës së kontrollit.
Aksidenti ndodhi të mërkurën, jashtë fshatit Urda, rreth 130 kilometra në jug të Madridit, kur një tren i kompanisë shtetërore Renfe u përplas nga prapa me një tren të ndalur, që i përkiste kompanisë private spanjolle Iryo.
Një defekt në sistemin automatik të sigurisë kishte ndalur të gjithë trenat në një segment hekurudhor prej rreth 63 kilometrash. Megjithatë, qendra e kontrollit kishte autorizuar trenin e Renfes që të vazhdonte udhëtimin.
Ndër masat e prezantuara më herët nga Puente në konferencën për media ishte krijimi i një programi kompjuterik për qendrat e kontrollit, i cili do të lëshonte automatikisht sinjalizime dhe do ta bënte më të lehtë identifikimin e parregullsive në trafikun hekurudhor.
Puente tha se do të krijohej edhe një agjent i inteligjencës artificiale për mbikëqyrjen e sistemit dhe për të “minimizuar mundësinë e gabimeve njerëzore”, duke e cilësuar këtë propozim si të paprecedentë.
Në rastet kur një operator i qendrës së kontrollit merr një vendim derisa sistemi automatik i sigurisë është jashtë funksionit, një operator i dytë do të duhej ta konfirmonte atë, shtoi Puente.
Sindikatat e makinistëve të trenave, Semaf, e cila ka paralajmëruar greva në kompaninë Renfe më 10 dhe 12 nëntor, ka denoncuar përkeqësimin e kushteve të punës dhe përdorimin e “sistemeve të degraduara”.
Kritikët thonë se investimet në mirëmbajtjen e hekurudhave nuk kanë ecur në të njëjtin ritëm me rritjen e numrit të udhëtarëve, që nga liberalizimi i rrjetit hekurudhor të Spanjës në vitin 2021. Ky proces u mundësoi kompanive private të hynin në treg, duke i dhënë fund monopolit disa dekadash të kompanisë Renfe.
Në atë që u duk si një pranim i kërkesave të sindikatave, Puente tha se do të reformoheshin kushtet e punës së operatorëve të qendrave të kontrollit, përfshirë kohëzgjatjen e pushimeve dhe monitorimin e nivelit të lodhjes së tyre.
Puente njoftoi gjithashtu një pako ndihme prej 30 milionë eurosh për familjet e viktimave dhe dhjetëra personat që u lënduan në aksident.
Një tjetër përplasje hekurudhore në rajonin jugor të Andaluzisë, në janar, kishte marrë 46 jetë njerëzish. Edhe ky aksident kishte ndodhur në të njëjtën linjë të rëndësishme që lidh Madridin me qytetin e Sevillas, e cila ishte linja e parë e trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë, e hapur në vitin 1992.