Muriqi flet pas golit të fitores ndaj Liverpoolit, përmend edhe Kosovën

Prishtinë | 05 Nën 2026 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Vedat Muriqi ka përjetuar emocione të veçanta pas golit të shënuar në fitoren e madhe të Fenerbahçes ndaj Liverpoolit, me rezultat 3-2, në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi i Kosovës, i cili realizoi golin vendimtar në këtë përballje, ka rrëfyer se kjo mbrëmje kishte një domethënie të veçantë për të, pasi lidhjen me klubin turk e kishte krijuar që në fëmijëri.

Në një deklaratë për agjencinë turke të lajmeve DHA, Muriqi ka zbuluar se fitoren e Fenerbahçes ndaj Chelseat, para 18 vjetësh, e kishte përcjellë si fëmijë në Kosovë, së bashku me shokët e tij.

“Para 18 vjetësh, kur isha fëmijë, e mbaj mend shumë mirë ndeshjen kur Fenerbahçe e mposhti Chelsean 2-1. E kisha shikuar atë ndeshje në Kosovë, së bashku me shokët e mi. Pas 18 vjetësh, jam shumë i lumtur dhe krenar që shënova golin e fitores në Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Muriqi, shkruan Kosovapress.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e triumfit ndaj Liverpoolit, duke shpresuar që kjo fitore të shërbejë si pikë kthese për skuadrën, e cila sipas tij po kalon një periudhë të vështirë.

“Jam shumë i lumtur. Golin tim ua kushtoj tifozëve tanë. Po kalojmë momente të vështira. Treguam se sa i madh është Fenerbahçe. Të gjithë e kanë ndier, e nisëm ndeshjen në mënyrë të jashtëzakonshme. E patëm një top që u kthye nga shtylla, pësuam një gol të pafat, por ia dolëm dhe u rikthyem. Kjo është madhështia e Fenerbahçes. Falënderoj të gjithë nga zemra. Shpresoj që kjo fitore të jetë pikë kthese për këtë sezon”, ka thënë sulmuesi kosovar.

Muriqi ka theksuar se objektivi kryesor i Fenerbahçes mbetet titulli i kampionit në kampionatin turk, ndërsa në Ligën e Kampionëve skuadra synon të shkojë sa më larg që të jetë e mundur.

Të ngjashme