Avokati Besnik Berisha përmes një statusi në Facebook ka pyetur Qeverinë “edhe sa duhet të na kushtojë moszbatimi i një ligji që mbron jetën?”, raporton Ekonomia Online.
“Qeveri, sa duhet të na kushtojë moszbatimi i një ligji që mbron jetën?!Në Kosovë kemi një ligj që ndalon pirjen e duhanit në hapësirat publike të mbyllura. Kemi institucione të ngarkuara për zbatimin e tij dhe e dimë prej kohësh se tymi i duhanit dëmton rëndë shëndetin”, shkroi ai në Facebook.
“Megjithatë, në shumë ambiente publike, tymi vazhdon të jetë më i pranishëm se vetë shteti! Kemi arritur deri aty sa qytetari që kërkon respektimin e ligjit ndihet më në siklet sesa ai që e shkel. Ndërkohë, çdo ditë ka familje që përballen me diagnoza të rënda, me frikën e humbjes së njerëzve të dashur dhe me beteja të dhimbshme për shërim. Mes tyre ka edhe të rinj e të reja që, në vend të planeve për të ardhmen, detyrohen të luftojnë për shëndetin e tyre”, shtoi.