Presidenti Isaac Herzog i ka besuar Gadi Eisenkotit formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve që nuk prodhuan shumicë parlamentare.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, i ka dhënë liderit të opozitës, Gadi Eisenkot, mandatin për formimin e qeverisë së re, duke hapur mundësinë e përfundimit të qeverisjes së Benjamin Netanyahut.
Vendimi u njoftua të shtunën, më 7 nëntor, pas konsultimeve me partitë parlamentare dhe dy kandidatët kryesorë për postin e kryeministrit.
Sipas New York Times, Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, siguroi mbështetjen e 67 deputetëve gjatë konsultimeve presidenciale, kundrejt 46 që mbështetën Netanyahun.
Zgjedhjet e 27 tetorit nuk prodhuan një shumicë të qartë në parlamentin me 120 vende. Blloku i Netanyahut fitoi 53 mandate, ai i Eisenkotit dhe aleatëve të tij sionistë 48, ndërsa dy partitë arabe siguruan 19 vende.
Eisenkot ka deri në gjashtë javë për të krijuar një koalicion që mund të marrë mbështetjen parlamentare.
Megjithatë, negociatat pritet të jenë të vështira për shkak të dallimeve mes partive që mund të mbështesin një qeveri të drejtuar prej tij.
Një mundësi është krijimi i një qeverie pakice me mbështetjen e partive arabe, por disa formacione të djathta në bllokun e tij kundërshtojnë një marrëveshje të tillë.
Eisenkot ka vendosur gjithashtu kushte për partnerët e mundshëm, përfshirë njohjen e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik, mbështetjen e shërbimit kombëtar universal dhe cilësimin e Hamasit si organizatë terroriste.
Ai deklaroi se synon krijimin e një “qeverie kombëtare emergjence” për t’i dhënë fund qeverisjes së Netanyahut dhe për të shmangur zgjedhje të tjera.
Nga ana tjetër, Netanyahu reagoi ashpër ndaj mundësisë së një qeverie të mbështetur nga partitë arabe, duke e përshkruar atë si një kërcënim për ekzistencën e Izraelit.
Nëse Eisenkot nuk arrin të formojë qeverinë, presidenti mund t’ia kalojë mandatin një kandidati tjetër, me shumë gjasë Netanyahut.
Në rast se përpjekjet e njëpasnjëshme dështojnë, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Netanyahu, i cili ka drejtuar Izraelin për afro 19 vjet në periudha të ndryshme, do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit në largim deri në formimin e një qeverie të re.