Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar importin e produkteve ushqimore nga kompania ‘AD Mlekarna Tetovo’ në Maqedoninë e Veriut, pas konstatimit të përsëritur të bakterit E. coli në produktet e saj.
Sipas njoftimit të AUV-së, vendimi është marrë më 6 nëntor, pas kontrolleve të vazhdueshme zyrtare dhe analizave laboratorike, të cilat kanë evidentuar rezultate mikrobiologjike të pakënaqshme.
Gjatë periudhës prill-tetor 2026, janë regjistruar gjithsej 11 testime me rezultate të pakënaqshme. Analizat janë kryer nga laboratorët e AUV-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe laboratori Food Lab në Maqedoninë e Veriut.
Produktet e testuara përfshijnë krem të bardhë, produkte të tipit urda dhe përgatitje ushqimore me yndyrë bimore, të tregtuara me emrat Natura Sharplaninska, Olios dhe Bianco Vacuum.
AUV ka bërë të ditur se produktet e këtij stabilimenti janë importuar në Kosovë përmes operatorëve ekonomikë Vizioni M.Z.I, Dauti Komerc dhe Delfini L.T.D.
Të gjitha dërgesat në të cilat janë konstatuar mospërputhje mikrobiologjike janë refuzuar në pikat kufitare dhe nuk janë lejuar të hyjnë në tregun e Kosovës.
Përveç ndalimit të importit, AUV ka vendosur edhe largimin e ‘AD Mlekarna Tetovo’ nga lista e stabilimenteve të aprovuara për eksport në Kosovë. Kjo nënkupton se asnjë produkt i këtij prodhuesi nuk mund të importohet ligjërisht në Kosovë përderisa vendimi mbetet në fuqi, pavarësisht operatorit ekonomik që synon importimin e tyre.
AUV ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet dhe analizat laboratorike, si dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produkteve të këtij stabilimenti që mund të jenë importuar më herët.
Kontrollet do të përfshijnë depot e operatorëve ekonomikë, rrjetin e shpërndarjes dhe pikat e shitjes, me qëllim të identifikimit të loteve, sasive të importuara dhe gjendjes së stoqeve.
Në rast se konstatohen produkte që nuk i përmbushin kërkesat e sigurisë ushqimore, AUV do të ndërmarrë masa, përfshirë ndalimin e qarkullimit, tërheqjen nga tregu dhe njoftimin e konsumatorëve.
Vendimi është marrë në bazë të Ligjit për Ushqim dhe kërkesave për higjienën dhe kriteret mikrobiologjike të produkteve ushqimore. Për këtë masë është njoftuar zyrtarisht edhe autoriteti kompetent i Maqedonisë së Veriut.