Vizita e udhëheqësve të Listës së Studentëve në Kosovë, një ditë pas paralajmërimit skandaloz të Rashiqit, Aleanca kërkon sqarime nga Qeveria

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar pas vizitës në Kosovë të udhëheqësve të “Listës së Studentëve” nga Serbia, duke ngritur pikëpyetje për ligjshmërinë dhe procedurat shtetërore që janë ndjekur për këtë vizitë.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Xhemaili ka kritikuar deklaratat e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili një ditë më parë e kishte cilësuar fitoren e “Listës së Studentëve” si një kthesë historike dhe kishte deklaruar se zhvillimet në Serbi mund ta bëjnë Qeverinë e Kosovës më të gatshme për themelimin e Asociacionit.

Sipas Xhemailit, është e papranueshme që qëndrimet e kësaj liste ndaj Kosovës të trajtohen si shenjë e një fryme të re politike, derisa, siç ka thënë ai, platforma e saj bazohet në pretendime territoriale ndaj Kosovës, kundërshtim të marrëveshjeve të Brukselit dhe synime për rikthimin e Serbisë në Prishtinë.

Ai ka ngritur edhe çështjen e vizitës së përfaqësuesve të kësaj liste në Kosovë, duke kërkuar nga institucionet të sqarojnë nëse janë respektuar ligji dhe protokollet shtetërore, nëse është kërkuar leje për këtë vizitë dhe kush e ka autorizuar atë.

Xhemaili ka kritikuar gjithashtu qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se ajo parasheh zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme në kuadër të dialogut.

Në fund, zëdhënësi i Aleancës ka kërkuar publikisht nga Qeveria që të sqarojë nëse ka ndryshuar qëndrimin zyrtar për Asociacionin dhe nëse vizitat dhe zhvillimet e fundit përbëjnë, sipas tij, fillimin e pranimit në heshtje të kushteve të Beogradit.

Të ngjashme