Lladrovci: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së është detyrë e shtetit, jo vetëm e PDK-së

Prishtinë | 21 Nën 2026 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas përfundimit të vizitës katërditore të Jakup Krasniqit në Kosovë, ku ai erdhi për të qëndruar pranë familjes së tij, në një periudhë të vështirë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij

Lladrovci ka thënë se mbrojtja e krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të jetë obligim shtetëror dhe kombëtar, e jo përgjegjësi vetëm e një partie politike.


Ai ka kritikuar mënyrën se si është organizuar mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, duke ngritur pikëpyetje për efikasitetin e saj dhe për shfrytëzimin e të gjithë mekanizmave në dispozicion.


“Partia ime, e cila mori përgjegjësinë e çështjes së Hagës dhe ia dha si detyrë disa individëve, do të duhej parë si obligim shtetëror, pa e ngushtuar rrethin e mbrojtjes së fuqishme të krerëve të UÇK-së në Hagë. Çështja e mbrojtjes së heronjve tanë të luftës dhe paqes, është detyrë e shtetit dhe të një kombi, përtej një partie”, ka shkruar Lladrovci.


Ai ka vlerësuar se Kosova duhet të ketë një front të gjerë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke përfshirë ekspertë dhe institucione ndërkombëtare.


Sipas tij, Republika e Kosovës e ka detyrim të mbrojë liderët e saj me të gjitha mjetet ligjore.


“PDK nuk ka sukses nëse e vetme i mbron ata. Fronti për mbrojtjen e heronjve tanë, do të duhej të ishte i gjerë dhe me nivelin e seriozitetin e luftës çlirimtare në rrethana tjera”, ka shkruar ai.


Lladrovci ka përmendur edhe pamjet e Jakup Krasniqit duke u larguar nga shtëpia e tij në Prishtinë, duke i cilësuar ato si pasqyrim të mungesës së përgjegjësisë institucionale.


Në fund, ai ka paralajmëruar se dëmi që po i shkaktohet Kosovës sot mund të bëhet barrë edhe për gjeneratat e ardhshme.

Të ngjashme