Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin, atdhetarin dhe intelektualin e kësaj partie, prof. Xhavit Ahmeti, në 30-vjetorin e vdekjes së tij tragjike.
Abdixhiku ka kujtuar kontributin e Ahmetit në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, si dhe angazhimin e tij politik dhe në fushën e arsimit.
Ai ka theksuar se Ahmeti ishte pjesë e LDK-së që nga themelimi i saj, fillimisht si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, e më pas si këshilltar për arsim i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Abdixhiku ka rikujtuar se Ahmeti ishte ndër organizatorët e sistemit të pavarur arsimor dhe profesor i Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, si dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Xhavit Ahmeti humbi jetën më 21 nëntor 1996, gjatë një udhëtimi zyrtar drejt Beogradit, në një aksident.
“Vepra, ideali dhe kontributi i prof. Xhavit Ahmetit do të mbeten përherë pjesë e kujtesës sonë kolektive. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka shkruar Abdixhiku.